Veliaj: Projekti i unazës së presionit për ujin e pijshëm, një nga investimet më të mëdha në 100 vitet e fundit në Tiranë

schedule16:27 - 11 Prill, 2023

schedule 16:27 - 11 Prill, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në prezantimin e strategjisë së Ujësjellës Kanalizime Tiranë, foli edhe për investimet e reja që bashkia do bëjë në rrjetin e ujësjellësit. Veliaj përmendi projektin e unazave të presionit, si një nga investimet më të mëdha në 100 vitet e fundit në Tiranë.

“Jemi në një situatë ku nga 10% në 2015, sot 65% e Tiranës ka ujë 24 orë. Për pjesën e mbetur, furnizimi me ujë ka shkuar nga 7 orë në 17 orë në ditë. Është vetëm çështje kohe derisa ne të mbarojmë këtë punë që kemi nisur. Dua ta përshëndes shumë projektin e unazave të presionit. Ashtu si unazat e Tiranës së trafikut, të cilat ndajnë presionin nga Tirana qendrore dhe mbajnë të karikuar të gjithë sistemin e trafikut, e njëjta logjikë vlen edhe për ujin.

Na duhet një unazë, e cila është ndoshta investimi më i madh që ne bëjmë në Ujësjellës, pas rrjetit të dedikuar që kemi nga Bovilla deri në impiant, pas dyfishimit të impiantit. Tani niveli kapilar ku ne kemi shkuar kërkon këtë unazë. Në këtë sens, ky investim në presion, pasi kemi mbaruar edhe rrjetin kapilar, na siguron që uji të vijë në mënyrë të njëtrajtshme me të njëjtin presion në të gjitha hapësirat e Tiranës. Unë besoj se rrjeti unazor me degët e presionit dhe prurja e një burimi të ri, që është një ogur i bardhë në Tiranë, besoj se do të hyjnë në histori si disa nga investimet më të mëdha në histori në 100 vitet e fundit të Tiranës kryeqytet për ujin e pijshëm”, tha Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!