Tirana do të ketë një unazë të katërt për lëvizjen e automjeteve. Kryetari i Bashkisë tha se ajo do t’i dedikohet vetëm transportit publik dhe biçikletave. Ndërkohë Erion Veliaj tregoi edhe planet e qeverisë për të shtuar përdorimin e automjeteve elektrike.
Qeveria po sheh mundësinë për të krijuar lehtësi fiskale për ata që do importojnë në Shqipëri automjete elektrike me zero ndotje në mjedis. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, para banorëve të njësisë administrative numër shtatë ku ndali prezantimin e projektbuxhetit për vitin që vjen.
“Një lajm tjetër i mirë që na erdhi nga qeveria e Edi Ramës dhe shumica e PS në Parlament është se Komisioni i Ekonomisë dhe Financave po konsideron t’i japë më shumë fuqi transportit alternativ, duke e bërë doganën e TVSH-në zero për autobusët elektrikë, që ndosin po aq sa një celular. Kështu, hyjmë realisht në një epokë të re”, tha Veliaj.
Mandej Veliaj tregoi se bashkia do të nisë pilotimin e një segmenti të katërt të unazës kushtuar transportit publik dhe biçikletave. Fillimisht ky segment do të lidhë rrugën “Ndre Mjeda” me atë “Dritan Hoxha”.
“Unaza 4-t është mes unazës klasike të Tiranës dhe Unazës së Madhe. Do bëjmë një segment të parë të Unazës së 4-t, e cila është konceptuar kryesisht për transport publik, pra për të futur të paktën një linjë autobusi midis Unazës 3 dhe 5, si dhe kryesisht për transport me biçikleta, për t’i dhënë Tiranës një brez të gjelbër, ku mund të bëhet e gjithë unaza pa u dyndur në trafikun e përgjithshëm që ka unaza e madhe, ose unaza e 3-të”, tha kryebashkiaku Tiranës.
Ndërkohë Tirana është qyteti që përfiton më tepër prej vendimit të qeverisë për të ndaluar importin e automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet deklaroi Veliaj, pasi me 1 milion banorë ka në përdorim 200 mijë makina./abcnews.al