Veliaj: Për çdo parkim me sms, qyteti fiton pemë

schedule14:11 - 4 Mars, 2018

schedule 14:11 - 4 Mars, 2018

Për çdo parkim me celular qytetit i shtohet një pemë. Kështu u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen nsimës për të gjelbëruar Tiranën.

Projekti i Bashkisë së Tiranës për pagesën e parkimit me SMS, ka rezultuar edhe si një mënyrë për të financuar projekte në dobi të komunitetit sic është gjelbërimi i qytetit. Rradhën e mbjelljes së pemëve e ka autostrada Sauk-Teg.

“Tirana Parking po ndihmon duke mbjellë pemë sot, por në fakt çdo qytetar që parkimin e paguan me celular në nr. 50500, dhuron një pemë. Dua t’i falenderoj të gjithë ata qytetarë që, pavarësisht se koncepti i parkimit me pagesë ishte një koncept i ri për Shqipërinë, sot po kuptojmë që jo vetëm është bërë më e lehtë të gjejmë parkim, jo vetëm që qyteti merr të ardhura, por në momentin që të ardhurat lidhen direkt me gjelbërimin e Tiranës, secili ndihet që ka dhënë një kontribut”, theksoi Veliaj.

Sipas kryebashkiakut Veliaj deri më tani në kryeqytet janë mbjellë mbi 90 mijë pemë të reja, shumë afër objektivit për të mbjellë 100 mijë pemë deri në 21 Mars.

“Kemi përpara 7-8 Marsin, Ditën e Verës, të tjera arsye për ta bërë Tiranën tonë më të mirë se ç’ishte dje. Janë një mënyrë për t’i kushtuar suksesin e këtij qyteti të gjitha grave dhe vajzave, që e bëjnë këtë qytet të suksesshëm. Siç thotë ajo shprehja: ‘Pas çdo burri ka një grua shumë të aftë’, në fakt edhe pas çdo qyteti ka gra dhe zonja të mrekullueshme, që kanë sukses në kompanitë tona publike ose private”, deklaroi ai.

Eglantina Zëre, drejtoresha e Përgjithshme e “Tirana Parking”, theksoi se çdo e ardhur nga pagesa me celular e vendparkimit, shkon për të mbjellë pemë për qytetin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!