Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka hedhur gurin e fundit në betejën e tij, tashmë për të penguar zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet dhe shkarkimin e tij.
Padisë kundër Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, ai i ka bashkangjitur një shtesë për të kundërshtuar dekretin e Presidentit për zgjedhjet në 9 nëntor.
Ai e konsideron antikushtetues, dekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti.
“Dekreti presidencial është contra Constitutionem (antikushtetues). Mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është mandat personal, por shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës. z. Veliaj nuk po e kundërshton këtë dekret si një votues dhe as si një formacion politik i prekur nga data e zgjedhjeve, si p.sh. në të drejtën e tij për të zgjedhur ose për t’u zgjedhur; por e kundërshton atë në kuadër të garancive kushtetuese të nenit 115 të Kushtetutës, që kërkuesi, si i zgjedhur vendor, i gëzon në procedurat e shkarkimit nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë.”
Veliaj jep një arsye, se pse nuk i drejtohet Gjykatës Administrative për shkarkimin e tij, por këmbëngul tek Gjykata Kushtetuese.
“Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa dekreti i Presidentit shqyrtohet nga gjykatat administrative, atëherë kemi rrezik të vendimeve kontradiktore dhe një situatë juridike të pakoordinuar: mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë shkarkimin, ndërkohë që gjykata administrative të lërë në fuqi dekretin për zgjedhjet, duke çuar në një realitet absurd ku një Kryetar Bashkie I rikthyer në detyrë përballet me zgjedhje të reja tashmë të shpallura.”
Veliaj kështu, mbetet varur vetëm tek neni 115 i Kushtetutës. Ai thotë se vendimi për shkarkim nga Këshilli i Ministrave, pezullohet kur i shkarkuari ankimon vendimin në Gjykatën Kushtetuese, pork jo vlen vetëm në rastin kur ky i zgjedhur vendor është shkarkuar për “Shkelje të rëndë të Kushtetutës apo ligjeve”.
Ne komisionin e ligjeve, te njejtin aregument mbrojti edhe Oerd Bylykbashi i Partise Demokratike. I cili shtoi se autori i vërtetë i shkarkimit të Veliajt, është kryeministri.
“Shkelja e djeshme e Kushtetutës me dekretimin e datës së zgjedhjeve duke pretenduar se nuk është në kushtet e nenit 115 është më shumë se lajthitje, është veprim me vetëdije me urdhër të kryeministër. Mundet që Gjykata Kushtetuese mund të jetë në të njëjtat kushte sepse kështu e keni degraduar, por kjo mbetet për t’u parë. Le t’i japim shansin kësaj radhe edhe pse ku i dihet mund edhe të na habisë.”/abcnews.al

