Veliaj: Nisim sprintin 100 ditor për transformimin e mëtejshëm të Tiranës

schedule16:44 - 24 Mars, 2019

schedule 16:44 - 24 Mars, 2019

Dhjetëra qytetarë iu bashkuan festës së Krrabës, me panair agroushqimor dhe shumë aktivitete për promovimin turistik të zonës. Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u bëri thirrje banorëve që të nisin 100 ditë sprint për të vijuar transformimin e Tiranës edhe në 4 vitet e ardhshme.

Krraba mikpriti dhjetëra qytetarë nga Tirana dhe zonat përreth për të festuar me një sërë aktivitetesh që promovojnë natyrën dhe vlerat agroturistike të saj. Bashkia e Tiranës organizoi aktivitete për çdo moshë nën ritmet e muzikës folklorike, piknik, sporte të ndryshme dhe panairin agroushqimor. Për kryebashkiakun Erion Veliaj kjo festë është një ogur i mirë edhe për zgjedhjet e 30 Qershorit.

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës: Është gjithmonë kënaqësi të vij në Krrabë. E para, se fushata më ecën mbarë. Kështu, e nisa dhe herën e fundit dhe shkoi perfekt. Jam i bindur se kështu do shkojë edhe kësaj here. Kush ka ardhur nga njësitë e tjera, duhet ta dijë se ka ardhur në një nga zonat më mikpritëse, me traditat më të forta, me rrënjë në familje, me kulturë, me njerëz që e duan këtë vend. Ajo që duam të bëjmë është t’i nxjerrim ata që janë në mes të Tiranës, t’u themi dilni, shihni natyrën, takoni njerëz të mirë, konsumoni produkte bio, harxhoni pak lekë, që të fuqizoni komunitetin tonë.

Veliaj gjithashtu u shpreh se përveç organizimit të festave të tilla e rëndësishme për të zhvilluar turizmin në këto zona është edhe zhvillimi i infrastrukturës.

Erion Veliaj: Sot kemi filluar të promovojmë pak zonën. Jo vetëm qendrën e Krrabës, por edhe Syrin e Ciklopit. Ama, edhe aty duhet një rrugë, se nuk mund të shkojnë turistët vetëm nga monopati. Besoj se këto dy projekte kryesore janë edhe vëmendja jonë më e madhe për 4 vitet e tjera për Krrabën. Mezi pres që secili prej jush sot të bëjë një fotografi në Krrabë, ata që kanë ardhur nga zona të tjera, dhe ta postojnë atë. Vetëm nëse e promovojnë ekonominë lokale, do t’i shohim hajrin se çfarë do të thotë të bashkohesh me Tiranën.

Kryebashkiaku Veliaj ftoi banorët e Krrabës që t’i bashkohen sipas tij “sprintit të këtyre 100 ditëve” për të bërë të mundur vazhdimin e zhvillimit të Tiranës dhe të ekonomisë së saj rurale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!