Veliaj nga Kavaja: Opozita erdhi mori votat këtu dhe nuk u duk më. Halli i Berishës është non-grata, se nuk kalon dot as Rinasin

schedule14:38 - 1 Prill, 2023

schedule 14:38 - 1 Prill, 2023

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar deputetët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, të cilët pasi morën votat e braktisën Kavajën dhe nuk u dukën më. Gjatë prezantimit të kandidatëve për Këshillin Bashkiak në Kavajë, Veliaj u bëri thirrje simpatizantëve të opozitës që, në këto zgjedhje, të mbështesin PS dhe kandidatin e saj, pasi ndryshe nga PD dhe PL, socialistët nuk do i braktisin kurrë.

“Kush janë deputetët e opozitës në Kavajë? I morën mandatet dhe i lanë. Dikush shkoi të punonte në një television – shumë mirë, i qoftë puna mbarë, dhe e la mandatin – tjetri mori 300 vota. Ju kujtohet Petrit Vasili me 300 vota? Pra, ka më pak vota se shkolla më e vogël në fshat dhe e ka harruar Kavajën sepse Kavaja i duhej vetëm për ato 300 vota. O shokë, mos u ndani në të majtë e në të djathë! Në qoftë se jeni me Partinë Demokratike votoni Redi Kralin dhe Partinë Socialiste, se nuk do të ikin kurrë nga detyra, nuk e harrojnë Kavajën, do jenë këtu përditë këtu. Ndaj, kush nuk e jep votën për Partinë Socialiste dhe për Redi Kralin, e ka hedhur votën kot. Ja ka dhënë dikujt që Kavajën e harron sapo mbarojnë zgjedhjet”, nënvizoi Veliaj.

Ai tha se halli i vetëm i Sali Berishës është shpallja “non grata” dhe jo qytetarët e Kavajës dhe të Shqipërisë. “Ata që ishin në Këshill Bashkiak nuk u paraqitën në punë, ata që duhet të kandidonin për zgjedhje nuk erdhën në ditën e votimit. Sali Berisha ka një hall. Halli i tij është se është shpallur person non-grata. Halli i Sali Berishës është se nuk e kalon dot Rinasin. Është një njeri që nuk shkon dot në aeroport, nuk udhëton dot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e kanë shpallur të papëlqyer, të papranueshëm, persona non- grata. Ai e vuan këtë dhe e di çfarë thotë, thotë u bëftë halli im halli i të gjithëve”, tha drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!