Veliaj: Nga 1 janari 2025 autobusët falas për pensionistët. Grupi i molotovit po përpiqet të pengojë çdo punë të mirë

schedule11:10 - 9 Maj, 2024

schedule 11:10 - 9 Maj, 2024

Në takimin  me anëtarët e Asamblesë së PS-së së Qarkut të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës do të transformojë shërbimin për 200 mijë qytetarë që përdorin transportin publik, duke e modernizuar atë me autobusë elektrikë. Ai tha se opozita do të përpiqet ta pengojë edhe këtë punë të mirë në qytet, siç ka bërë gjithmonë me çdo punë të mirë që është bërë për Tiranën.

“Votat tona në Tiranë janë mbi 160 mijë dhe është e pamundur autobusin ta përdorin vetëm socialistët. Ndaj, për këta 200 mijë qytetarë, që nuk ndahen në të majtë dhe të djathtë, që nuk ndahen në këtë parti apo në atë parti, përgjigja jonë është: Ne do ta modernizojnë transportin publik të Tiranës. Vite më parë, kishim problematika të botës së tretë në Tiranë, ku njerëzit binin në pusetën para Presidencës. Sot flasim për një Tiranë që është transformuar totalisht, dhe me kredinë e BE dhe KFW gjermane, mund të modernizojmë transportin publik dhe nga 1 Janari 2025, për pensionistët ta bëjmë falas transportin publik. Dëgjova se PD-ja do të përpiqet, si gjithmonë, të sabotojë Tiranën. E bënte këtë në kohë të Edi Ramës, kur e sabotoi qytetin në mënyrën më mizore të mundshme. A thua se edhe vetë nuk jetonte në Tiranë!? Kërkon ta bëjë edhe sot me këta të tjerët që derdhin gjak për mandate votash, duke thënë se do të votojë kundër këtyre 200 mijë qytetarëve që e përdorin transportin publik, kundër pensionistëve që ta kenë transportin falas, dhe kundër një qyteti që ka vite që nuk i voton më, i cili në fushatën e fundit na dha fitoren më të thellë në histori me 60 mijë vota diferencë”, tha Veliaj.

Tirana nuk ndalet nga molotovi, theksoi kryebashkiaku, kur premtoi se puna për transportin publik dhe shumë projekte të tjera, që i bëjnë vetëm mirë qytetit, do të vazhdojë pa ndalim.

Tirana ka nevojë të modernizohet, ka nevojë për shërbime, për infrastrukturë. Nëse ke hapur 1 mijë kantiere, patjetër duhen verifikuar, dhe nëse në tre kantiere ka një problem, patjetër që duhet bashkëpunuar me drejtësinë. Por, Tirana nuk ndalet nga molotovi! Sa më shumë molotov, aq më shumë punë! Sa më shumë sherr, aq më shumë shkolla! Sa më shumë injorancë dhe padije, aq më shumë infrastrukturë kulturore! Ky është i vetmi ilaç. Unë nuk njoh ilaç tjetër për injorancën përveçse të ndërtojmë dhe të ketë më shumë kulturë. Unë nuk njoh ilaç tjetër për dhunën, ose do ta pranosh, ose do ta kurosh me punë dhe të sigurohesh që qyteti gjithmonë e më shumë i kthen sytë nga puna dhe jo nga dhuna. Nuk njoh ilaç për sherrin, përveçse frymës së bashkëpunimit. Ndonëse kemi një ilaç për korrupsionin dhe reforma e re në drejtësi po adreson shumë prej këtyre temave, dua të them këtë: Shumica dërrmuese nuk shkojnë në punë për të bërë keq, shkojnë në punë për të bërë mirë, për të çuar përpara nderin e familjes së tyre, për të jetuar me respekt dhe për të kontribuar për qytetin tonë, për bashkësinë tonë, për komunitetin tonë”, tha Veliaj.

Në fund, ai kërkoi nga anëtarët e Partisë Socialiste që të përveshin mëngët dhe të ecin përpara me punë reale për njerëzit, si transporti publik, dhe jo të merren me llogjet e banaqeve.

Teksa jemi të rreptë dhe të pamëshirshëm me këto fenomene negative, të mos harrojmë shumicën morale, shumicën e heshtur të atyre që punojnë, shumicën dërrmuese të atyre që përveshin mëngët çdo ditë, puthin fëmijët e tyre teksa i çojnë në çerdhe, kopshte dhe shkolla, i përkushtohen shërbimit publik në të gjitha ato agjenci dhe organizma që duan ta çojnë Shqipërinë përpara. Se po të ishte e kundërta, Shqipëria nuk do t’i kishte hapur negociatat, Shqipëria nuk do të respektohej sot, nuk do të kishim 1 mln turistë në muaj dhe 12-14 mln në vit. Ndaj, motra dhe vëllezër, kokën lart, mëngët e përveshura, mbani fort njeri-tjetrin dhe të gjithë ata që janë punëtorët e partisë, që nuk meritojnë asnjë cikël balte dhe pështyme të asaj që hidhet çdo natë mbi banaqe. Jam i sigurt që pjesa dërrmuese, pjesa e madhe, morale, me integritet, e ndershme e partisë tonë, do jetë gjithmonë fitimtare dhe do jetë gjithmonë ajo pjesë që do na çojë në betejën tjetër më të përgatitur, më të pastër, më të fortë, më të fokusuar në ato që janë çështje reale për njerëzit, si transporti public, dhe jo llogjet e banaqeve, dhe sigurisht më fitimtarë në zgjedhjet tona të 2025-ës”, përfundoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!