Veliaj në konferencën Kombëtare Zgjedhore e Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave: Ditët më të mira për industrinë e turizmit dhe kulinarisë

schedule14:24 - 22 Shkurt, 2023

schedule 14:24 - 22 Shkurt, 2023

TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Konferencën Kombëtare Zgjedhore të Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, në të cilën u shpreh se rritja e turizmit vitet e fundit në kryeqytet ka sjellë shumë të mira për këtë industri dhe bizneset që operojnë në këtë fushë.

“Virtyti ynë i mikpritjes si shqiptarë, i pranimit të tjetrit si bujtës në shtëpinë tonë, është kthyer në një biznes të jashtëzakonshëm vitet e fundit. Tetë vjet më parë nuk e mendoja se turizmi do ishte një pjesë kaq e fuqishme e ekonomisë së vendit. Numrat ishin modestë, kurrë nuk e kishim kaluar numrin e turistëve krahasuar me numrin e popullsisë. Atë vit ne kishim a s’kishim 100 mijë turistë në vit në Tiranë. Vjet ne kaluam shifrën e 4.5 milionë turistëve, duke u kthyer në një nga industritë kryesore të qytetit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se duke qenë se është një nga industritë më të lakmuara, sigurisht që ka debate të mëdha, por rezultatet tregojnë se nuk ka vend për pengesa dhe se duhet të jemi krenarë e t’u japim kurajë sipërmarrësve.

“Edhe kjo industri nuk kalon pa debate. Mjafton të shikoni gjithologët që flasin për kullat, por “InterContinentali” ku vijmë për evente, ku vijnë turistët, nuk është bërë në pronë të bashkisë, por në pronën e 15-Katëshit. Histeria se këto ndërtime po bëhen në prona publike, janë të rreme. Mund të kemi opinione të ndryshme, por s’mund të kemi fakte të ndryshme. Për këta njerëz që kanë rrezikuar gjithçka, na duhet të kemi një konsensus kombëtar, që të mos politizojmë dhe të mos i bëjmë një reklamë negative. Nëse nuk jemi agjentët kryesorë të marketingut, ose nëse nuk flasim mirë për qytetin tonë, kush do flasë? Ne duhet të jemi të gjithë krenarë, duhet të themi bravo të qoftë, duhet të duartrokasim e duhet të japim kurajë”, nënvizoi Veliaj.

Në fund kreu i Bashkisë tha se këto janë ditët më të mira të Tiranës turistike dhe për të kanë shkruar edhe media botërore.

“Këto janë ditët më të mira për industrinë e turizmit dhe kulinarisë. E mira s’ka fund, por ta pranojmë se e kemi ngritur nivelin si kurrë më parë. Sot kur shkruan në një javë, edhe “New York Times”, edhe “Corriere della Sera”, do të thotë se po vihemi re dhe duhet të përgatitemi prej kësaj reklame, edhe për një fluks të shtuar me turistë”, e mbylli Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!