Veliaj në Kashar: Deklaroni vendbanimin, nuk do të gjobiteni

schedule13:58 - 7 Nëntor, 2018

schedule 13:58 - 7 Nëntor, 2018

Një bulevard dhe dy shkolla të reja shumë shpejt do të ndërtohen në Kashar. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i tregoi banorëve të zonës projektet e reja, ndërkohë që i nxiti të deklarojnë vendbanimin pasi amnistia e qeverisë ka hyrë në fuqi.

Ata që nuk kanë deklaruar adresën e banesës pranë njësive administrative ku banojnë mund ta kryejne pa u gjobitur. Vendimi i qeverisë ka hyrë në fuqi, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nxiti qyetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Na duhet të reflektojmë faktin se në Kashar nuk banojnë 8 mijë, por 70-80 mijë njerëz. Ndaj do e vlerësoja shumë ndihmën tuaj këtu. Falenderoj qeverinë që e hoqi pengesën e fundit, gjobën, dhe tani nuk na pengon asgjë tjetër për t’u regjistruar. Na ndihmon jo vetëm për buxhetin e bashkisë, na ndihmon edhe kur kërkojmë subvencionimin nga qeveria”.

Kryetari i Bashkisë ishte në Kashar ku iu kërkoi banorëve mbështetje për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.

“Që t’i marrim më shpejt vendimet dhe të kemi mundësi të investojmë me ritëm më të lartë, na duhet që të kemi votat për PS-në në Këshillin Bashkiak. Një nga arsyet pse sot kemi një qeveri efiçente është sepse Edi Rama ka 74 vota. Një shumicë absolute që e bën të ecë pa asnjë ndalesë, që nuk e shantazhon njeri, që s’ka nevojë të bëjë pazar me njeri, që s’ka nevojë t’i bëjë qefin dikujt, pasi e vetmja fuqi që njohim është ajo e qytetarëve që na kanë dhënë votën. Kjo është arsyeja pse na duhet një shumicë e tillë edhe në Këshillin Bashkiak”

Ndërkohë Veliaj tregoi se Kashari shumë shpejt do të ketë një bulevard të ri që do të lidhë unazën e Tiranës me rrugën “Tre dëshmorët e Kombit” dhe dy shkolla të reja të cilat do të ulin fluksin e nxënësve në ato ekzistueset./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!