Veliaj mirëpret anëtarët e rinj të PS në Njësinë 3: Shqipëria është në ditët e saj më të mira

schedule17:06 - 2 Mars, 2024

schedule 17:06 - 2 Mars, 2024

Nga Njësia 3, në vijim të turit për të mirëpritur anëtarët e rinj që i bashkohen Partisë Socialiste, drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj tha se është i mirëseardhur kushdo që dëshiron të jetë pjesë e familjes së madhe socialiste.

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se si bashkimi sjell fuqinë. Ju mund të pyesni: Si vajtëm 60% në këtë njësi? Qartazi, nuk kanë qenë të gjithë të majtë, se ndryshe do kishim qenë 60% gjithmonë, por në vitet e fundit ne jemi hapur aq shumë, saqë po ftojmë edhe ata që ndoshta për një arsye apo për një tjetër nuk kanë qenë me ne, – dikush mund të vijë nga familje të persekutuara, dikush tjetër nga familje që mund t’i kenë marrë pronën, nga familje të deklasuara – ama, fakti që jemi hapur dhe kemi kaluar mbi 50%, do të thotë se kjo parti kur hapet dhe kur i thotë dikujt: ‘Ej, ne kemi mendime të ndryshme, por nuk ka asnjë mëkat të kesh mendim ndryshe, nga ana tjetër nuk është mëkat as të ndërrosh mendim’, shtohet dhe fiton e fiton e fiton”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se kur qeverisin socialistët, edhe kundërshtarët politikë jetojnë më mirë. “Edhe kundërshtarët tanë bien dakord se kur qeverisin socialistët, edhe ata janë më të lirë për t’u shprehur, edhe ata jetojnë më mirë, rrogat e tyre janë më të larta dhe shtëpia e tyre vlen më shumë. Ndaj, kur qeverisin socialistët, edhe ata që nuk na kanë votuar, bëjnë më shumë hajër. Shumë njerëz thonë: ‘Po mirë, s’u lodhët tre mandate në Bashki, tre në qeveri?! Lërjani dikujt tjetër!’ Por, a i thotë dot njeri Luiza Gegës, e cila meqë ka fituar shumë medalje ari, duhet ta ulë vrapin që të fitojë dikush tjetër? A u thotë dot njeri peshëngritësve tanë të talentuar, Erkandit, Brikenit, ‘shiko, mos e ngri këtë peshën, lëre të fitojë ai tjetri!?’ Ti nuk i thua dot një kampioni, mos ji kampion; ti nuk i thua dot të shpejtit, mos ji i shpejtë; ti nuk i thua dot të talentuarit, mos ki talent! Ti nuk i thua dot fitimtarit, mos fito! Partia Socialiste është partia e fitimtarëve, ndaj do vazhdojmë të punojmë e do vazhdojmë të fitojmë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se Shqipëria, nën drejtimin e Partisë Socialiste, është në ditët e saj më të mira. “Shqipëria dhe Tirana kanë ndryshuar si nata me ditën. Shqipëria, brenda një muaji, priti Sekretarin e Shtetit Amerikan, priti Presidentin Zelensky, i cili sot është njeriu më i përfolur për mirë për rezistencën ndaj agresionit rus. Liderët e Ballkanit dhe Evropës kanë ardhur disa herë në Tiranë. Kemi një Tiranë që sot ka 10 milionë turistë. Tirana është ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë, ishte Qyteti Evropian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti i Kulturës dhe Dialogut. Qeveria Socialiste di të bëjë shtet, di të bëjë qytet, që sot e ka zili gjithë bota. Jo se jemi perfektë, se nuk ekziston vendin perfekt, por fakti se e gjithë bota i referohet Shqipërisë dhe Tiranës së vogël, që në një kohë rekord është transformuar si nata me ditën, është kompliment për çdo socialist, aktivist dhe për çdo votues që i ka dhënë mbështetje këtij vizioni për ta bërë Shqipërinë moderne”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, deputetja e PS, Klotilda Bushka, shprehu falënderimet e saj për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili ka qenë gjithmonë i gatshëm për punët e mira në qytet. “E falenderoj Erionin, si drejtues politik i qarkut të Tiranës, sepse ne vërtet kemi dalë Partia Socialiste e Bashkisë Tiranë me numrin më të lartë të votave për PS në zgjedhjet e fundit, por e kemi pasur kokën lart, sepse me Erionin kryetar Bashkie, kemi dalë ballëhapur para njerëzve. Të gjithë së bashku nuk kemi vajtur me listë dëshirash tek njerëzit, por kemi vajtur me zemër, si njerëz tek njerëzit, për të kuptuar cilat janë nevojat e se si ne mund të punojmë më mirë dhe ia kemi dalë dhe do ia dalim ende, sepse ka ende punë në këtë njësi për të çuar përpara”, përfundoi deputetja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!