Veliaj: Minoranca e zhurmshme s’ndalon transformimin e Tiranës

schedule13:26 - 16 Nëntor, 2018

schedule 13:26 - 16 Nëntor, 2018

Një minorancë e zhurmeshme nuk ndalon dot transformimin e Tiranës. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka komentuar në këtë mënyrë protestën që banorët e Unazës së re zhvilluan një ditë më parë. 

Për protestën, që banorët të cilët preken nga projekti për ndërtimin e unazës së madhe në Tiranë, zhvilluan poshtë zyrës së tij, kryetari i bashkisë Erion Veliaj foli nga Barcelona.

“Një minorancë e zhurmshme, shashkat, zjarri, tymi, dhuna, vulgariteti nuk do ta ndalojnë Tiranën, të jemi të sigurt për këtë! Tirana do të eci përpara dhe nuk ka sot minoritet të zhurmshëm që ta ndalojë progresin e saj. Siç nuk e ndaluan dot Këndin e Lodrave te Liqeni, Pazarin e Ri, Sheshin ‘Skënderbej’, Bulevardin e Ri, nuk do ta ndalojnë as transformimin e Tiranës”.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ishte në Barcelonë ku mori pjesë në edicionin e  8- të të Kongresit Botëror dhe Panairit të Qyteteve Inteligjente. Kryebashkiaku i Tiranës ishte përzgjedhur për të prezantuar ndryshimet që kanë ndodhur në kryeqytet në tre vitet e fundit.

“Më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme që Tirana vlerësohet në Panairin e Qyteteve Inteligjente në Barcelonë. Kur shikon sa qytete marrin pjesë dhe çfarë gare zhvillojnë qytetet në botë për t’u afirmuar, ndjehem shumë krenar për atë që kemi arritur në Tiranë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme që populli i Tiranës i jep ndryshimit, punës dhe modernizimit”.

Në Panairin e Qyteteve Inteligjente merrnin pjesë më shumë se 700 përfaqësues nga e gjithë bota. /abcnews.al