TIRANË-Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është paraqitur të enjten në prokurorinë e posaçme në lidhje me hetimet e nisura ndaj tij.
Veliaj ka qëndruar për rreth 1 orë e 30 minuta në prokurorinë e posaçme, i shoqëruar edhe nga avokatët e tij mbrojtës.
Kjo është hera e parë që Veliaj pyetet në prokurori si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, ndërsa para arrestimit ai ka dhënë sqarime si person që ka dijeni.
Mësohet se Veliaj është pyetur edhe për veprën penale të futjes së sendeve të jashtëligjshme në qeli, në lidhje me dyshimet që ka prokuroria e posaçme për përdorimin e një telefoni nga zyrtari i lartë në kohën që mbahet i izoluar në paraburgimin e Durrësit.
Por Veliaj dhe avokatët e tij mbrojtës nuk kanë preferuar të japin sqarime për këtë rast.
Nga ana tjetër Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave për Veliajn, bashkëshorten e tij dhe disa biznesmenë.
Të mërkurën në SPAK u paraqit edhe biznesmeni Elman Abule që po hetohet për pastrim parash, për të cilin gjykata ndryshoi masën nga arrest në burg në arrest shtëpie.
Pjesë e të njëjtës dosje është edhe bashkëshortja e krye bashkiakut Ajola Xoxa që po hetohet në gjendje të lirë. /abcnews.al