Kryebashkiaku i Tiranës njëkohësisht kandidati socialist për një mandat të dytë Erion Veliaj në një takim me të rinjtë e FRESSH-it ka shigjetuar Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj Basha. “Politikanë të rënë vakti ky vend ka pare shumë” – u tha Veliaj të rinjve, por qytetet që shkrumbohen mezi e marrin veten.
30% e kandidatëve të Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak të Tiranës janë të rinj e të reja. Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për një mandat të dytë si kryebashkiak Erion Veliaj e bëri të ditur për të treguar se ka ardhur koha për të marrë vendime të rëndësishme për rininë.
“Rinia nuk është e ardhmja, por e tashmja. Shpresoj shumë që ky mandat i parë i të zgjedhurit direkt nga njerëzit për një detyrë publike të jetë realisht një mandat shërbimi. Pra, jemi thirrur që të shërbejmë, jo që të jemi shefa, as bosa, komandantë, gjeneralë, por për të shërbyer”.
Në takimin me të rinjtë e FRESSH-it Veliaj komentoi dhe zhvillimet politike.
“Politikanë të rënë vakti ky vend ka pare shumë, por qytetet që shkrumbohen mezi e marrin veten. Një parti e lodhur, e dëbuar, e përbuzur, e mosvotuar, e merr veten sepse do vijë një brez tjetër dhe do të thotë gjëra më të mençura dhe do të distancohet nga Saliu dhe Luli me shokë. Por, një qytet mezi e merr veten sepse ka shumë punë për të ndryshuar. Një qytet nuk është vetëm infrastrukturë, por është kryesisht mentalitet”.
Tirana ka nisur punën që në vitin 2022 të jetë Kryeqyteti Evropian i të Rinjve. Aplikimi sipas Veliajt është në linjë me prioritetet e Bashkisë së Tiranës për rijetëzimin e kapaciteteve kulturore, artistike, sociale, ekonomike dhe edukative të të rinjve. /ABC News Albania 24/7