Veliaj: Mandatin tjetër ndërtojmë Pallatin e Sportit për lojërat me dorë

schedule15:00 - 13 Qershor, 2019

schedule 15:00 - 13 Qershor, 2019

Ndërtimi i Parkut Olimpik është një nga premtimet e mbajtura të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mandatin e tij të parë. Por, ambicia për t’i shërbyer sportit dhe nxitur të rinjtë, kryesisht klubet profesioniste, që të arrijnë rezultate që nderojnë qytetin dhe vendin, është edhe më e madhe. Ndaj, krahas ndërtimit të Parkut Olimpik, kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e 30 Qershorit, Erion Veliaj ka premtuar edhe ndërtimin e një pallati sporti të posaçëm për lojërat me dorë.

Ai priti në një takim vajzat e skuadrës së basketbollit “Tirana”, të cilat u shpallën kampione pas 20 vitesh, ndërsa theksoi se për të nxitur zhvillimin e sportit dhe arritjen e sukseseve të tjera, në mandatin e dytë si kryetar bashkie, do të bëhet e mundur edhe ndërtimi i një pallati të ri sporti për lojërat individuale apo edhe për disiplina të tilla sportive, si volejbolli apo basketbolli, ku dhe tradita është më e vjetër.

 “Ajo që besoj bëmë me Parkun Olimpik duhet të jetë tani steka se si duhet të jenë mjediset e reja sportive. Ne kemi një koncept, do ta prezantojmë edhe këto ditë, të Pallatit të ri të Sportit. Vërtet Parku Olimpik është mirë për këto lloj aktivitetesh, por nëse do duhen mega aktivitete, do të duhet të kemi një Pallat të mirë Sporti, që të ketë 4- 5 mijë vetë, parkim nëntokësor”, tha Veliaj.

Më tej, ai tha se Bashkia e Tiranës ka bërë një sërë investimesh në fushën e sportit, duke rikonstruktuar dhe hapur palestrat e shkollave për të gjithë atë që duan të ushtrojnë aktivitete sportive. “Në Bashki kemi filluar të bëjmë një revolucion, fillimisht duke e hapur sportin jo vetëm si monopol të disa grupeve. Sot ka 62 palestra me çuna dhe goca që përpiqen, jo vetëm për të qenë më fit fizikisht, por edhe për të mësuar si luhet në skuadër, si humbet, si fiton, etj”, u shpreh Veliaj.

Ai gjithashtu shtoi se si në çdo fushë, edhe në sport është e rëndësishme që investimet të shkojnë fillimisht aty ku edhe rezultatet janë të mundshme për t’u arritur. “Financat që i hedhim aty ku merret kupa, i hedhim për inerci, meqë kështu ka qenë gjithmonë. Po kush tha që kështu duhet të jetë gjithmonë? Ne duhet të shpërblejmë më të mirën. Kjo nuk ndodh vetëm në sport, edhe në art, në muzikë. Kjo ndodh edhe në politikë, ku për inerci, ti vazhdon t’i mbash në ‘piacë’ jo detyrimisht më të mirët, por vetëm sepse kanë qenë gjithmonë aty. Ka ardhur koha që të mbajmë në ‘piacë’ atë që sjell kupa, atë që prodhon rezultat, kjo është mënyra më e mirë”, u shpreh Veliaj.

Trajneri i ekipit të klubit të basketbollit “Tirana”, Erdal Borova, si fitues i kampionatit të femrave, e vlerësoi këtë trotrofe si shumë të çmuar, për faktin se prej 20 vitesh “Tirana” nuk e merrte një titull kampion, pas një dominimi të Vlorës, Gjirokastrës dhe Fierit. “Është një sukses mjat i mirë dhe shumë i bukur për ekipin tonë, por edhe për qytetin e Tiranës dhe të Bashkisë së Tiranës. Një falenderim u shkon vajzave, stafit tonë dhe padiskutim, kryetarit tonë të bashkisë, i cili vazhdimisht ka qenë pranë ekipit në këto ditë të vështira, por edhe më përpara. Besoj se përkrahja dhe ndihma e bashkisë do të jetë edhe më e madhe për shoqatën tonë”, tha Borova.

Për Erta Bujarin, kapitenen e skuadrës së basketbollit “Tirana” fitorja e këtij trofeu është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm se vjen pas një kohe të gjatë pa këtë titull, por edhe sepse shpërblen edhe mundin dhe sakrificën e vajzave të kësaj skuadre.

Presidenti i Klubit, Arbër Kadia tha se tashmë i takon Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera të vendit që t’i japin sportit vëmendje më të madhe. “Sporti shqiptar ka nevojë për një ndihmë shumë të madhe nga institucionet. Shpresoj që bashkia ta marrë përsipër këtë sfidë edhe ta kthejë në produkt real sepse nuk është gjithçka llaç e tulla, edhe energji e gjëra të prekshme, por është edhe argëtimi shpirtëror. Sporti absolutisht ndihmon edhe shoqërinë, pra jo vetëm njerëzit që aktivizohen në sport, por edhe ata që e shohin atë”, tha Presidenti i Klubit të basketbollit “Tirana”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!