Veliaj: Mandatin e dytë transformojmë transportin publik

schedule14:45 - 9 Maj, 2019

schedule 14:45 - 9 Maj, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mori pjese ne Forumin e Biznesit të BERZH-it në Sarajevë. Veliaj premtoi se nëse merr një mandat të dytë do të transformoje transportin publik në kryeqytet.

Nëse qytetaret i besojnë një tjetër mandat në krye të Tiranës Erion Veliaj premton se katër vitet e ardhshme do të transformojë tërësisht transportin e saj publik, nga mjete që punojnë me lëndë djegëse dhe që ndotin mjedisin, në një flotë tërësisht elektrike e miqësore me natyrën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, mori pjesë në takimin me temë “Green Cities = Improved Lives”, pjesë e Forumit të Biznesit të BERZH-it për vitin 2019 që mbajti punimet në Sarajevë.

“Ambicia jonë është që në mandatin e dytë, pjesën më të madhe të financimeve të BERZH, t’i fokusojmë në atë që quhet “Programi i Qyteteve të gjelbra”, ku duam t’i japim fokus shumë të madh transportit elektrik. Kemi ecur shumë mirë me biçikletat, me taksitë elektrike; tani është radha e autobusëve dhe duam të financohet ky program”. 

Veliaj veçoi gjithashtu projektin e Pyllit Orbital me 2 milion pemë.

“Projekti tjetër që ndoshta është një ndër projektet më afër zemrës sonë, si Bashki e Tiranës, është ai i Pyllit Orbital. Pra, në dy vite kemi thyer rekordin e mbi 100 mijë pemëve, por që të kapim atë që është ambicia jonë e 2 milionë pemëve, sigurisht na duhet pak ndihmë financiare. Po përgatitemi që në mandatin e dytë, të aksesojmë financat ndërkombëtare, kryesisht për këto dy projekte, çështjet e gjelbërimit dhe të transportit elektrik dhe të transportit të pastër”.

Me mbështetjen financiare të BERZH-it theksoi Veliaj në Tirana ka nisur një nga investimet më të rëndësishme të dekadave të fundit, që ka të bëjë me shtrirjen e një linje të dedikuar ujësjellësi për të gjitha lagjet periferike të zonës së Unazës së Re e Kasharit, si dhe zgjerimin e kapacitetit filtrues të Bovillës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!