Veliaj: Kopshtet publike kanë rritur cilësinë

schedule13:35 - 25 Shtator, 2018

schedule 13:35 - 25 Shtator, 2018

Kopshtet publike në Tiranë, sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, ofrojnë kushte më të mira për fëmijët. Kryebashkiaku ishte në kopshtin numër 18 ku pa mjediset e rikonstruktuara.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kthehet në kopshtin e tij për të përuruar mjediset e rikonstruktuara. Kopshti numër 18 në rrugën “Mihal Grameno” këtë vit do të presë rreth 300 fëmijë. Godina është zgjeruar, mjediset e brendshme janë riorganizuar ndërkohë që është instaluar kaldaja për ngrohje.

“Jam shumë entuziast sot që hapet “Kopshti 18”, një kopësht jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua sepse dikur ka qenë edhe kopshti im. Jam shumë i lumtur që kopshti jo vetëm është rregulluar, por i janë shtuar hapësirat me disa dhjetëra metra katrorë. Do të thotë që kemi shtuar grupet, kemi kaluar nga një kopsht me 150 fëmijë në një kopsht që tani ka thuajse 300 fëmijë”, tha Veliaj.

Me investimet e realizuara, kryetari i bashkisë thotë se kopshtet publike ofrojnë kushte më të mira dhe këtë sipas tij e provon kërkesa e lartë e prindërve për të regjistruar fëmijet.

“E di që këmbëngulja e prindërve për t’i çuar fëmijët në kopshtet publike është shumë e madhe. Për ne është kompliment. Do të thotë se kopshtet publike e kanë rritur aq shumë cilësinë, saqë për një vend në kopshtet publike kemi një pafundësi kërkesash. Megjithatë, duke qenë se kopshtet, edhe në administrim do t’i kalojnë Bashkisë së Tiranës, pra jo vetëm si ndërtim, por edhe si furnizim, besoj që edhe ne do të përgatitemi që të përballojmë më mirë nevojat që ka Tirana”, theksoi Veliaj.

Gjithashtu kryetari i bashkisë dha lajmin e mirë se në kushte më të mira do të mësojnë edhe nxënësit e shkollës “Mihal Grameno”.  Godina ka nisur të rikonstruktohe dhe pritet të jetë gati vitin e ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!