Veliaj i dhuroi “Çelësin e Qytetit” ministres austriake, Karin Kneissl

schedule13:57 - 5 Tetor, 2018

schedule 13:57 - 5 Tetor, 2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti dje në një takim Ministren Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Karin Kneissl. Fjalët e saj të para iu kushtuan transformimit që ka pësuar kryeqyteti shqiptar vitet e fundit.

“Tirana ka ndryshuar, falë edhe politikave të përgjegjshme të ndjekura për zhvillimin e saj”, tha ajo, teksa u shpreh e vlerësuar edhe për marrjen e “Çelësit të Qytetit” nga kryebashkiaku Veliaj.

Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Austrisë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Austria i jep vendit tonë në proceset integruese. Në frymën e kësaj miqësie që ekziston mes Austrisë dhe Shqipërisë, por edhe të bashkëpunimit mes Tiranës dhe qyteteve austriake, kryebashkiaku Veliaj i dhuroi ministres Kneissl “Çelësin e Qytetit”.

“Dua t’ju jap këtë simbolikë të Tiranës, qytet i cili ka një histori të pafund lidhjesh me Austrinë, veçanërisht me Vjenën, por edhe me qytete të tjera, ndaj dhe ju keni shumë miq këtu. Ju’a japim “Çelësin e qytetit” në shenjë respekti, si një derë e hapur miqësie. Ky është fillimi i një miqësie të gjatë dhe të bukur, ndaj po e dorëzoj në duart tuaja”, tha Veliaj.

Ministrja austriake, Karin Kneissl falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për këtë vlerësim dhe theksoi ndryshimin e madh që ka pësuar Tirana, si pasojë e politikave të duhura. Ajo theksoi se këto ndryshime, por edhe mikpritja që ka gjetur në Tiranë, e kanë bërë të ndihet shumë mirë.