Veliaj e Denaj bisedime me fermerët e Kavajës: Me Shqipërinë që trefishohet në sezon turistik, bujqësia merr vlerë të shtuar

schedule15:30 - 17 Janar, 2024

schedule 15:30 - 17 Janar, 2024

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë, Anila Denaj dhe deputetin e PS, Etjen Xhafaj, zhvilluan një takim me fermerët në Kavajë. Veliaj u shpreh se falë vëmendjes së shtuar të qeverisë, sektori i bujqësisë po gjeneron një pjesë të mirë të ekonomisë së vendit. Sipas tij, me shtimin e numrit të turistëve, edhe pesha e bujqësisë do të vijë gjithnjë e në rritje.

Nëse do të vazhdojmë projektet e turizmit dhe ajo që Kryeministri ka shpallur, që në 2030-ën të shkojmë nga 10 milionë në 20 milionë turistë, do të thotë se në 4-5 vitet e ardhshme do të rritemi me 20-30% e turizmit çdo vit. Në Tiranë kemi kaluar nga një situatë ku ne kishim sezon turistik vetëm gushtin, tashmë ne kishim sezon të plotë edhe nëntorin, se ishin festat e Pavarësisë dhe Çlirimit, kishim edhe dhjetorin se ishin festat e Vitit të Ri, dhe po shkojmë në një turizëm që do të vazhdojë gjithë vitin. Kjo do të thotë se se ka nevojë për të pasur struktura si agro-turizmi. Pra, edhe bujqësi, edhe turizëm, meqë sot Shqipëria po bëhet fenomen”, tha ai.

Drejtuesi politik PS në Qarkun e Tiranës nënvizoi se qeveria ka mbështetur financiarisht bujqësinë në vlera që nuk janë dhënë asnjëherë më parë. “Për herë të parë kemi një injeksion të jashtëzakonshëm financash në bujqësi, që nuk ka qenë më përpara. Mund të mos mjaftojnë, por nëse më përpara thoshim kush e ka fajin, tani themi si mundet të gjithë bashkë të bëjmë pjesën tonë. Nëse nuk e kuptojmë që kjo është një kauzë e madhe kombëtare, atëherë do ngelet thjesht si një nga 100 punët që po bëjmë. Nëse e adoptojmë këtë kauzë si kauzën tonë familjare, mund të prodhojmë histori suksese, që viti 2023 na provoi që është e mundur. Imagjino ç’mund të jetë 2024, në qoftë se ne përgatitjet i bëjmë që tani në janar”, deklaroi. ai.

Veliaj u bëri thirrje fermerëve që të bashkëpunojnë dhe të grupohen për shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore si një mundësi për të rritur të ardhurat. “Ne si bashki ia kemi parë hajrin bashkimit sepse tipikisht bashkimi prodhon fuqi shtesë, që nuk është vetëm shuma aritmetike e fuqive të vogla, por është edhe një fuqi eksponenciale, që vjen nga energjia që prodhon bashkimi, nga cytja me njëri-tjetrin. Mbaj mend kur ishim 27 njësi vendore, nuk bëhet fjalë që të lidhej rruga e Bërzhitës me rrugën e Krrabës, se një ishte i PS-së, një i PD-së. Ai thoshte: “Po ta bëj unë, do marrë lavdi dhe ky”. S’bëhej rruga kurrë nga Lapidari deri në Krrabë. Po ashtu edhe ura që lidhte Ndroqin me Vaqarrin, Ura e Mnikut: Njëri thoshte ti je i majtë, tjetri ti je i djathtë, dhe ura nuk bëhej kurrë. Kur bashkohesh, ti thua ka një vendimmarrje, mund të jetë më shumë punë për ata që janë në drejtim, por ama nuk ka nga këto cic mic-et ku secili del më i dobët nga konflikti, kurse nga bashkëpunimi del më i fortë”, theksoi Veliaj.

Ministrja e Bujqësisë, Anilaj Denaj nënvizoi se një vëmendje të veçantë në këto 10 vite i është kushtuar investimeve në bujqësi. Ajo siguroi se në 2-3 vitet e ardhshme, qeveria do të financojë edhe 200 mln euro të tjera. “Në 10 vite qeverisje janë rehabilituar argjinatura gati 100 km, janë rehabilituar rezervuare, janë rehabilituar gjithë infrastruktura e ujitje-kullimit, me një total vlere gati 259 mln euro dhe do të vazhdojmë në 2-3 vitet e ardhshme me të tjera 200 mln euro në infrastrukturë. Sot jo vetëm kemi turistë vendas dhe të huaj që kërkojnë produkte më cilësore sepse është një kërkesë e kohës. Ne i kemi të gjitha mundësitë që t’i prodhojmë produktet tona. Por, nga ana tjetër, për t’i certifikuar produktet tona dhe për t’i çuar në tregjet elitare, ne nuk mund të shkojmë në investime shumë të vogla”, deklaroi Denaj, teksa kërkoi një bashkim të fermerëve.

Deputeti Xhafaj u shpreh se bujqësia ka një vend të veçantë në bumin turistik që Shqipëria përjetoi vitin që lamë pas. “Ne kemi një vit jashtëzakonisht të suksesshëm turizmi vitin 2023, i cili ishte një vit i cili ishte sukses edhe falë punës suaj, përpjekjeve, lodhjes suaj dhe sigurisht falë dhe atij prodhimi që e ka bërë Shqipërinë një nga produktet më të mira turistike në rajon, por dhe në gjithë Evropën”, deklaroi Xhafaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!