“Këtë vit mos këput asgjë për dashurinë, më mirë hidh rrënjët dhe shih të rritet ndër vite…”
Nën këtë moto, dhjetëra çifte të reja në kryeqytet iu bashkuan në Ditën e të Dashuruarve nismës së Bashkisë së Tiranës duke mbjellë 200 pemë të reja. Mes çifteve që zgjodhën të përjetësojnë dashurinë e tyre përmes një peme ishin edhe emra të njohur të skenës si këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se duke treguar dashurinë me një dhuratë si mbjellja e një peme, e cila do të rritet, qytetarët kanë mundësi që t’i lënë gjeneratës tjetër më shumë gjelbërim dhe më shumë oksigjen. Me rastin e ditës së të dashuruarve Bashkia e Tiranës ka organizuar dhe një sërë aktivitetesh, ku qytetarët do të kenë mundësi që të kalojnë një ditë ndryshe krah njeriut të tyre të zemrës./abcnews.al