Veliaj dhe Përfaqësuesja e BB shërbejnë drekën për njerëzit në nevojë

schedule18:11 - 18 Tetor, 2018

schedule 18:11 - 18 Tetor, 2018

Krahas progresit të jashtëzakonshëm në betejën kundër varfërisë, përmes programeve të ndryshme sociale dhe edukimit, Bashkia e Tiranës dhe Banka Botërore ndihmojnë edhe me shtimin e qendrave sociale për qytetarët në nevojë. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, shërbyen dje një drekë për dhjetëra të njerëz në nevojë në qendrën sociale komunitare “Gonxhe Bojaxhiu”.

Në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka hapur 7 qendra sociale, ku marrin shërbime njerëz në vështirësi ekonomike. Veliaj nënvizoi se shumë prej politikave që janë bërë në bashkëpunim me Bankën Botërore janë përkthyer në nisma konkrete në dobi të njerëzve në nevojë. “Disa herë nevoja është në formën e një vakti, prandaj kemi hapur 7 mensa sociale në Tiranë. Me Bankën Botërore kemi bërë disa ligje shumë të dobishme, si ato për ndihmën ekonomike që marrin grante, sistemi me pikëzim, pra që njerëzit marrin ndihmë ekonomike sipas nevojës që kanë. Shumë prej politikave tona që kemi bërë me Bankën Botërore përkthehen në qendra të tilla sociale”, tha ai, teksa listoi disa prej rasteve të shumta që trajtohen në qendrat sociale të hapura nga Bashkia.

Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, shprehu vendosmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet shqiptare për të punuar bashkërisht me qëllim uljen e varfërisë. “Ne premtuam se do të ktheheshim sërish me kryebashkiakun dhe ja ku jemi të gjithë së bashku. Por, më emocionuese janë të gjithë aktivitetet që ju keni këtu në qendër që kanë të bëjnë me njerëz të të gjitha moshave. Ju keni edukimin për më vegjlit, pra ju keni mbështetje për fëmijët tuaj, keni mbështetje për edukimin, për asistencë sociale, këshillim, punë, të gjithë aktivitetet që ju nevojiten për të pasur sukses ju dhe familjet tuaja”, u shpreh Maryam Salim.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi të gjithë ata që punojnë me përkushtim në qendrat sociale. “E vlerësojmë  shumë punën tuaj, jo vetëm në ditë festash dhe në ditë të shënuara, por në çdo ditë që ju shërbeni në këtë komunitet dhe pjesa e strategjisë që kemi me Bankën Botërore, ishte që jo vetëm të kishim pagesat për njerëzit në nevojë, por të kishim edhe shërbime fizike, që do të thotë një vakt, asistencë sociale, këshillues, psikologë”, nënvizoi kreu i Bashkisë.

Bashkia Tiranë ofron një sërë lehtësirash për shtresat më në nevojë të shoqërisë. Çdo muaj trajtohen me pako ushqimore familjet të cilat e kanë të pamundur të sigurojnë ushqimet bazë në tryezat e tyre. Gjithashtu, është siguruar mbrojtje për të gjithë fëmijët që janë viktima të dhunës dhe urisë dhe nëpërmjet qendrave të saj sociale, Bashkia e Tiranës mundëson një vakt të ngrohtë për gjithë ata që nuk e sigurojnë dot.