Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka gati 7 projekte që do të bëjnë ndryshimin në kryeqytet nëse ai fiton garën për një mandat të dytë. Këtë bindje shprehu kryebashkiaku Veliaj në emisionin Opinion në Televizionin Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu.
Të pandarë e konsiderojnë veten nga njëri-tjetri. Aq pranë e ndjejnë njëri tjetrin sa vetë kryebashkiaku Erion Veliaj përdor një shprehje popullore.
“Mishi me thoin nuk di të jenë më afër se ne. Në 30 vite pluralizëm nuk di të ketë pasur një kryeministër që ka qenë kaq afër sa unë me Edi Ramën. Unë dhe kryeministri flasim mesatarisht 20 herë në ditë. Unë jam pjesë e kryesisë së PS, jap kontributin tim në vendimmarrjen qendrore të PS”.
Duke shuar çdo dyshim mbi marrëdhënien Rama-Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës nënvizon në emisionin Opinion në televizionin Klan se është koha për të folur se çfarë do të përfitojnë banorët e kryeqytetit në mandatin e dytë që ai shpreh bindjen se do ta fitojë.
Projekti më i rëndësishëm për kryebashkiakun është përfundimi i Bulevardit të Ri.
“Bulevardi i ri sot i ndërtuar nga Grimshaw. Kush do udhëtojë nga ky muaj në Stamboll hapet aeroporti i ri i Stambollit që është më i madhi sot në Europë do shohë të njëjtën kompani që ka bërë bulevardin e ri. Ngeci ai projekt 4 vite. Rama negocioi gjithçka deri tek financimi. U bllokua me një tabelë aty : S’na lë Edi Rama. Si s’të lë Edi Rama? Ti dy vite ishe me Saliun, kë gënjen? 2 vite me Saliun kush të pengoi ty për ta bërë?”
Pavarësisht se ka mbetur pezull projekti për ndërtimin e Unazës së Re, kryetari i Bashkisë së Tiranës garantoi se pas përfundimit të procedurave, brenda këtij viti, një pjesë e punimeve do të jetë realizuar. Ndryshime e presin edhe bulevardin Zogu i Parë, njoftoi Erion Veliaj.
“Rehabilitimi i bulevardit Zogu i Parë-Rikonstruksion i gjithë fasadave me veshje termike, termoizolim. Do ketë rikonceptim më të madh të hapësirave në kryqëzime. Do jetë një zgjatim me të njëjtën cilësi si Sheshi Skënderbej”.
Piramida e Tiranës do të transformohet gjithashtu. E konceptuar që të ruajë efektin e hipje-zbritjes.
“Një ministacion ku t’i mund të kesh një ekspo, një vend-pushimi, të gjitha të lëvizshme. Në disa vende do ruhen pjesët rrëshqitëse, në disa vende të tjera do jenë me shkallë. Do jetë ekzaktësisht një ballkon belvedere mbi majën e piramidës. Brenda do ndahet ne klasa të ndryshme, një shkollë alternative për gjithë fëmijët e Tiranës 5-15 vjeç, kryesisht për kurse të teknologjisë së informacionit”.
Pas dy vjetësh është parashikuar të përfundojë terminali te kthesa e Kamzës tha kryebashkiaku Tiranës, ndërkohë që do të vazhdohet dhe me ndërtimin e 17 shkollave të reja me shpresën se do ti jepet fund mësimit me dy turne në kryeqytet.Një prej projekteve që kryetari i bashkisë Tiranë e ka promovuar shpesh herë është edhe lidhja midis Kopshtit Zoologjik dhe atij Botanik.
“Pjesa e kopshtit Zoologjik do ketë hyrje të re. Do bashkohet me kopshtin Botanik dhe aty shpresojmë do ketë mbi 200 të punësuar, pra duam ta trajtojmë edhe si një park të madh argëtimi. Ambiente didaktike. Jemi duke parë mundësinë që një teatër Kukullash të jetë këtu. Parkimi është i gjithi nëntokësor. Besoj do të fillojmë para zgjedhjeve punimet për Kopshtin e ri Zoologjik. Është i ndarë në tre faza. Secila fazë zgjat nga një vit. Brenda mandatit do kemi Kopshtin zoologjik”.
Ndërsa sa për ndërtimin e teatrit të ri do të mjaftojë vota e 30 Qershorit për të vendosur mbi fatin e tij./abcnews.al