Vedat Muriqi pritet të luajë tek Gallatasaraji sezonin e ardhshëm. Sulmuesi I Kosovës pranë akordit me klubin më të madh të Turqisë.
Nuk mund të kalonte gjatë pa rënë në sy. Vedat Muriqi është jo vetëm një sulmues i rëndësishëm për Kosovën, por edhe në Superligën e Turqisë, dhe ja ku I erdhi momenti për të bërë hapin e madh të karrierës.
Futbollisti 25-vjeçar do të largohet nga Çajkur Rizespori për t’u bashkuar me një nga klubet më të mëdha turke, pikërisht me Gallatasarajin.
Shënimi i 17 golave sezonin e kaluar në kampionat, bëri që skuadra e shquar nga Stambolli të këmbëngulte për Muriqin, ndërsa bisedimet mes palëve vazhduan gjatë.
Rizesporti kërkonte 10 milionë euro, shifër e cilësuar si tepër e madhe nga Gallatasaraji, e cila jepte vetëm 2 milionë.
Më në fund u gjet akordi për 4 milionë euro, plus edhe shpërblime në varësi të arritjeve.
Muriqi do të ketë një rrogë prej 2.2 milionë eurosh në sezon tek Gallata, nga të cilat 1.8 milionë janë paga bazë, ndërsa pjesa tjetër do të jepet në formë shpërblimesh.
Sulmuesi e nisi karrierën tek Liria e Prizrenit, në qytetin e tij të lindjes, ndërsa më pas luajti në Superligën shqiptare për Teutën e Durrësit dhe Besën e Kavajës, për t’u zhvendosur përfundimisht në Turqi.
Në futbollin turk provoi Giresunsporin, Gençlerbirligin dhe Rizesporin, ndërsa tani do të luajë te Gallatasaraji, skuadra rekordmene e titujve në Turqi, 22 herë kampione, me trajner Fatih Terimin. /ABC News Albania24/7