Vdes në moshën 97-vjeçare Vito Kapo, e veja e Hysni Kapos

schedule08:13 - 29 Shkurt, 2020

schedule 08:13 - 29 Shkurt, 2020

Vdes në moshën 97-vjeçare, Vito Kapo, e veja e Hysni Kapos.  E veja e numrit dy të Partisë Komuniste ka vdekur mëngjesin e sotëm, tre ditë pas vdekjes së Nexhmije Hoxhës, gruas së ish diktatorit. Vito Kapo ka qenë ish ministre e industrisë së lehtë, ish kryetare e Bashkimit të Grave para viteve ‘90.

Vito Kapo u lind më 9 nëntor 1922 në Nivan të Zagorisë, e bija e dr. Stathi Kondit dhe Krisanthisë; motër e Pirro, Alqiut dhe Tanës.Më 1941 mbaroi Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” të Tiranës.

Në vitet 1942-43 ra në kontakt me grupet komuniste dhe u bë pjesë e Grupit Komunist të Shkodrës. Në shkurt-maj 1942 shërbeu si mësuese në fshatin e lindjes. Gjatë luftës u ndodh në Nivan, Konispol e Përmet. Më 1943-44 qe anëtare e sekretare organizative e Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste për Gjirokastrën. Në korrik-nëntor 1944 punoi si sekretare e Enver Hoxhës pranë shtabit të përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan. Në nëntor 1944 gjer në maj të 1945 qe në Komitetin Qendror të PK-së dhe e ngarkuar me Bashkimin e Grave Antifashiste Shqiptare.

Pas marrjes së fuqi të komunistëve, në korrik 1945 gjer në maj 1946 punoi atashe shtypi në legatën shqiptare në Beograd, ku i shoqi shërbeu si ambasador. Më vonë u emërua Drejtoreshë e Arsimit të Lartë dhe për një kohë shumë të gjatë ka drejtuar Bashkimin e Grave të Shqipërisë. Më 1960-1965 ndoqi Fakultetin Histori-Filologji.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!