Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vdekja e shqiptarit në Francë, reagon Ministria e Jashtme: Sipas policisë franceze Mentor Rexha është vetëvrarë

schedule15:43 - 10 Shkurt, 2020

schedule 15:43 - 10 Shkurt, 2020

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me vdekjen e të riut shqiptar në burgun e qytetit Lorient në Francë, Mentor Rexha.

Pas lajmit në media për vdekjen e të riut, përmes një njoftimi për shtyp, MEPJ sqaron se sipas autoriteteve të policisë franceze, Rexha është vetëvrarë në ambientet e burgut francez gjatë natës së 31 janarit 2020. Ndërkohë familjarët e të riut kanë ngritur akuza se djali është vrarë në burg.

Po ashtu ministria sqaron se Ambasada shqiptare në Francë është njoftuar nga të afërmit e të ndjerit ditën e diel, (2 shkurt), dhe që nga ajo ditë e në vazhdim, shërbimi konsullor i Ambasadës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e tij, për të mundësuar vendosjen e kontakteve me qendrën penitenciare të Lorient, si dhe për të lehtësuar udhëtimin e njërit prej familjarëve të tij nga Italia në Francë.

Në lidhje me kërkesën e familjarëve për sjelljen e trupit të Mentor Rexhës në atdhe, Ministria e Jashtme thotë se Ambasada i ka informuar familjarët cfarë duhet të bëjnë sipas legjislacionit në fuqi, gjithashtu ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit, të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme:

“Sipas autoriteteve të policisë franceze shtetasi Mentor Rexha është vetëvrarë në ambientet e burgut francez të qytetit Lorient gjatë natës së 31 janarit 2020.

Për këtë ngjarje, Ambasada shqiptare në Francë është njoftuar nga të afërmit e të ndjerit ditën e diel, datë 2 shkurt 2020, dhe që nga ajo ditë e në vazhdim, shërbimi konsullor i Ambasadës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e tij, për të mundësuar vendosjen e kontakteve me qendrën penitenciare të Lorient, si dhe për të lehtësuar udhëtimin e njërit prej familjarëve të tij nga Italia në Francë.

Ambasada shqiptare në Francë njofton se, që nga momenti i njohjes me ngjarjen, ka përcjellë nga afër çdo praktikë ligjore dhe ka qëndruar në kontakte të pandërprera me familjarët e shtetasit shqiptar, Mentor Rexha.

Ditën e shtunë, datë 8 shkurt 2020, të afërmit mundën të vizitojnë trupin e të ndjerit. Gjatë kontaktit me Ambasadën shqiptare, ata shprehën dyshime lidhur me shkaqet e vdekjes së tij.

Bazuar në këto pretendime, Ambasada shqiptare në Francë ka kërkuar informacion suplementar nga autoritetet franceze mbi ngjarjen dhe ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore.

Ambasada është në pritje të një informacioni zyrtar më të detajuar nga ana e autoriteteve policore dhe gjyqësore franceze, në lidhje me të gjitha pretendimet dhe dyshimet e ngritura nga të afërmit e shtetasit Mentor Rexha.

Në lidhje me procedurat e kthimit të trupit të shtetasit Mentor Rexha në Shqipëri, Ambasada i ka informuar familjarët sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ambasada shqiptare në Francë mbeten të angazhuara për zbardhjen e ngjarjes me autoritetet franceze dhe kthimin e shpejtë të trupit të të ndjerit në atdhe”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!