Vdekja e Qordjas/ Rama: Akuzat e opozitës synojnë goditjen e Xhafajt, reagon PD

schedule15:33 - 1 Korrik, 2018

schedule 15:33 - 1 Korrik, 2018

Kryeministri Rama tha se akuzat e opozitës, për vrasjen e 31 vjeçarit Shkëlzen Qordja, ishin skenar i një fantazie makabër. Sipas Ramës, deklaratat e opozitës kishin për synim goditjen e Ministrit të Brendshëm. Por Partia Demokratike edhe në daljen e sotme publike deklaroi se shoferi i Xhafajt u ekzekutua në një vrasje mafioze. 

I veshur në të zeza, takimin e llogaridhënies në Korçë, kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi për të dhënë versionin e tij të ngjarjes së rëndë me gardistin Shkëlzen Qordja. Ende në pritje të përfundimit të hetimit nga prokuroria, shefi i ekzekutivit përgjigjen ia dedikoi atyre që sipas tij nuk dijnë të respektojnë të vërtetën.

“Duke përfituar gna rasti t’i shpreh ngushëllimet familjes së punonjësit që mori një vendim ekstrem dhe befasues dhe dua ta ndaj me familjen gjithë ndjenjën e keqardhjes, sepse përtej tragjedisë dhe dhimbjes ata nuk mundën të gjejnë qetësinë për të lotuar, sepse u gjendën nën rrebeshin e zi të sulmeve politike për të njëjtat arsye të mos arsyes që dominojnë politikën tonë pa dashur t’ja dinë për respekt dhe të vërtetën”.

Ky paracaktim i përfundimit të hetimit nga vetë kryeministri, shef ekzekutivi është për Partinë Demokratike një histori e përsëritur.

“Për të fshehur një vrasje mafioze Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me tre plumba”.

Skenar fantazie makabër e quan Edi Rama tezën e artikuluar nga demokratët të një vrasje mafioze dhe jo vetvrasje të 31-vjeçarit gardist.

“Agresioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta dhe përfshirja në skenarë fantazie makabër për të goditur qeverinë, nuk ka fjalë për t’u komentuar. Është i neveritshëm dhe i turpshëm”.

Edhe ky sulm ndaj artikulimit të pistës së një vrasje të mundshme, për kreun e grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho, vë kryeministrin në pozitat e hershme të mohimit të asaj çka shihet me sy të lirë.

“Nuk është skenar fantazie si do ta shesë kryeprokurori Rama. Ai ka mohuar çdo skandal që implikon atë, edhe transportin e drogës me avion edhe kriminelet ne parlament dhe bashki. kanabuizimin e quajti skenar fantazie, audin e tahirit e quajti skenar kriminal.mohoi per 5 vjet denimin e Agron Xhafës, tani mohon përfshirjen e taulant ballës tek kapja e parave”.

Është mohimi i këtyre të vërtetave dhe mbrojtja e interesave kriminale e kryeministrit ajo që ka lënë vendin prapa dhe jashtë Europës, përfundon selia blu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!