President i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka folur menjëherë pas publikimit të lajmit për ndarjen nga jeta të ish-mbrojtësit të Partizanit, Mico Papadhopullit. Numri një i FSHF-së, me anë të uebsajtit zyrtar, ngushëlloi familjen e të ndjerit, duke thënë:
“Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Miço Papadhopulli, President Nderi i FSHF, një ish-mbrojtës i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta.
Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, tha Duka./abcnews.al