Vdekja e Navalny, mbi 40 vende thirrje Rusisë të lejojë një hetim ndërkombëtar

schedule15:06 - 4 Mars, 2024

schedule 15:06 - 4 Mars, 2024

Një grup prej më shumë se 40 vendesh i bënë thirrje Rusisë që të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur për vdekjen e liderit të opozitës Alexei Navalny në burg.

Thirrja u bë nga ambasadorja e BE-së Lotte Knudsen në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë në emër të 27 shteteve të BE-së dhe 16 vendeve të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën.

“Jemi të indinjuar nga vdekja e politikanit të opozitës rus Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësia përfundimtare është e Presidentit Vladimir Putin dhe autoriteteve ruse.

Rusia duhet të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e vdekjes së tij të papritur”, tha Knudsen.

Navalny, kritiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin brenda Rusisë, vdiq në moshën 47-vjeçare në një koloni penale të Arktikut më 16 shkurt, duke shkaktuar akuza nga mbështetësit e tij se ai ishte vrarë.

Kremlini ka mohuar çdo përfshirje të shtetit në vdekjen e liderit të opozitës, i cili u varros të premten në Moskë.

Komiteti Hetues i Rusisë thotë se ka nisur një hetim procedural për vdekjen dhe Kremlini ka thënë se nuk i përkulet kërkesave të BE-së.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!