Vdekja e Maradonës, prokuroria: Mjeku fajtor, Diego nuk ka marrë ilaç për zemrën

schedule09:34 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 09:34 - 7 Dhjetor, 2020

Vazhdojnë hetimet për të gjetur fajtorët e vdekjes së Diego Armando Maradonës. La Repubblica raporton se ka dalë raporti i parë i prokurorisë në lidhje me trajtimin, që mjeku i tij personal, Leopoldo Luque i ka bërë Maradonës.

 

Sipas asaj që ka publikuar prokuroria e San Isidro, Diego nuk ka marrë asnjë ilaç për problemet në zemër dhe ky mund të ketë qenë shkaku, që legjendës së futbollit i ra ai arrest kardiak më 25 nëntor në shtëpinë e tij në Tigres, Buenos Aires. Kujtojmë se ekspertiza zbuloi se zemra e tij peshonte rreth 500 gram, thuajse dyfishi i përmasave normale.

“Askush nuk u kujdes për pacientin (Maradonën), ne kemi të bëjmë me prani të një sjellje fajtore të mjekëve, që konsiston në neglizhencë serioze.

Pacienti nuk u monitorua, nuk ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, siç do të kërkonte gjendja e tij. Ai nuk mori asnjë ilaç për sëmundjen e tij të zemrës.

 

Pa asnjë dyshim, mjeku i tij ishte Dr. Leopoldo Luque. Ai koordinoi një kujdes kaq të mangët në shtëpi, i cili ishte krejtësisht i paorganizuar. Pacienti (Maradona) i besoi atij verbërisht.

Edhe nëse pacienti do të ishte i vështirë për t’u bindur për kurimin dhe mjekimin e tij, ai duhej të trajtohej sipas praktikës, madje edhe kundër vullnetit të tij”, shkruhet në pretencën e prokurorisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!