Prokuroria e Tiranës ka publikuar sot ekspertizën e deritanishme nga hetimet e bëra për vdekjen e Lear Kurtit, ku konfirmon përfundimet e AMP-së.
Sipas Prokurorisë ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.
Prokuroria njofton se ka nisur hetimet për policinë për “veprime arbitrare”, mjekët për “mosdhënie ndihme”.
Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Si ndërroi jetë Lear Kurti
Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte por 32 vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap.
Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”.
Nga analizat është e vërtetuar se substanca e gjetur në stomakun e të riut ishte lëndë narkotike e llojit kokainë. I riu kishte arritur pak para se të kapej nga efektivët, të gëlltiste dy qese të vogla me një sasi kokaine brenda saj. Qeset janë të përmasave 5×5, të ngjashme me ato qeset që përdoren në farmaci për medikamentet.
Sipas burimeve këto qese ishin të paktën 3 ose 4 doza kokaine. Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes të Kurtit është arrest kardiak i shkaktuar nga overdoza.
32-vjeçari humbi jetën pasi u shoqërua nga policia në komisariat mbrëmjen e djeshme. Atij i ishte bërë thirrje të ndalonte për kontroll të dokumenteve, por Kurti i ishte larguar policisë vetëm për t’u kapur më pas në rrugën “Don Bosko”.
Gjatë shoqërimit në komisariat gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur dhe është dërguar për në spital me makinën e policisë.
Këta të fundit thanë se 32-vjeçari ndërroi jetë në tek Trauma, deklaratë që më vonë u përgënjeshtrua nga vetë spitali.
“Pacienti me iniciale L.K. ka ardhur pa shenja jete ne spital. Ne raste te tilla spitali Universitar i Traumës njofton Morgun Tiranë dhe me pas procedura per ekspertizen mjekoligjore ndiqet prej tyre”, deklaroi Spitali i Traumës.
Lexo edhe: “U ça qesja me drogë në stomak”, prokuroria dhe AMP: Si vdiq Lear Kurti në duart e policisë
Lidhur me rastin reaguan një ditë më parë edhe AMP dhe prokuroria. Sipas prokurorisë dhe AMP-së, në stomakun e të riut është gjetur një qese plastike, e cila dyshohet se ishte e mbushur me lëndë narkotike dhe është përcjellë prej tij në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit. Këto deklarata i konfirmoi sot edhe përgjigja e mjekësisë ligjore.
Njoftimi i Prokurorisë
Mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë ka
regjistruar proçedimin penal Nr.7671/2022 për veprën penale “kryerje e veprimive arbitare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K.Penal.
Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i kqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qëndrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.
Lexo edhe: Vdekja e Lear Kurtit pas shoqërimit, Spitali i Traumës: Tek ne erdhi pa shenja jete
Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
/abcnews.al./