Kryeministri Edi Rama , komentoi sot akuzat e opozitës, e cila i ka drejtuar gishtin policisë për vdekjen e Lear Kurtit, i cili ndërroi jetë pasi u shoqërua nga policia.
Në fjalët e tij, në takimin me fermerët e Fierit, Rama tha se ata që akuzojnë policinë, duan të zgjojnë urrejtjen te policia e shtetit dhe se sulmojnë pa ditur se si ka ndodhur ngjarja.
“ Në kohë krizash disa kërkojnë zgjedhjet dhe disa fajtorë. Ne jemi për të kërkuar zgjedhje. Ata që kërkojnë fajtorë duan të zgjojnë urrejtjen te policia e shtetit. Çohuni se e vrau policia, jo vetëm ka një moment që njeriu i thotë vetes prit, çfarë shqiptari jam. Si mundem unë të kafshoj të vdekurit për të nxjerrë përfitime. Si mund të sulmoj policinë për diçka që nuk di si ka ndodhur. Polica është mësuar tani më me hiena,” tha Rama.
Si ndërroi jetë Lear Kurti
Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte por 32 vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap.
Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”.
Nga analizat është e vërtetuar se substanca e gjetur në stomakun e të riut ishte lëndë narkotike e llojit kokainë. I riu kishte arritur pak para se të kapej nga efektivët, të gëlltiste dy qese të vogla me një sasi kokaine brenda saj. Qeset janë të përmasave 5×5, të ngjashme me ato qeset që përdoren në farmaci për medikamentet.
Sipas burimeve këto qese ishin të paktën 3 ose 4 doza kokaine. Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes të Kurtit është arrest kardiak i shkaktuar nga overdoza.
32-vjeçari humbi jetën pasi u shoqërua nga policia në komisariat mbrëmjen e djeshme. Atij i ishte bërë thirrje të ndalonte për kontroll të dokumenteve, por Kurti i ishte larguar policisë vetëm për t’u kapur më pas në rrugën “Don Bosko”.
Lexo edhe: “U ça qesja me drogë në stomak”, prokuroria dhe AMP: Si vdiq Lear Kurti në duart e policisë
Gjatë shoqërimit në komisariat gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur dhe është dërguar për në spital me makinën e policisë. mKëta të fundit thanë se 32-vjeçari ndërroi jetë në tek Trauma, deklaratë që më vonë u përgënjeshtrua nga vetë spitali.
“Pacienti me iniciale L.K. ka ardhur pa shenja jete ne spital. Ne raste te tilla spitali Universitar i Traumës njofton Morgun Tiranë dhe me pas procedura per ekspertizen mjekoligjore ndiqet prej tyre”, deklaroi Spitali i Traumës.
Lexo edhe: Vdekja e Lear Kurtit pas shoqërimit, Spitali i Traumës: Tek ne erdhi pa shenja jete
Lidhur me rastin reaguan një ditë më parë edhe AMP dhe prokuroria. Sipas prokurorisë dhe AMP-së, në stomakun e të riut është gjetur një qese plastike, e cila dyshohet se ishte e mbushur me lëndë narkotike dhe është përcjellë prej tij në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit. Këto deklarata i konfirmoi sot edhe përgjigja e mjekësisë ligjore.
/abcnews.al/