Brazilianët kanë mbushur sheshet e disa qyteteve për të protestuar kundër racizmit dhe kundër presidentit Jair Bolsonaro, për shkak të menaxhimit të pandemisë Covid-19.
Protestat janë shpërndarë në Brasilia, Porto Alegre, Recife dhe Fortaleza, ku protestuesit brohorisnin dhe mbanin në duar parulla me mbishkrimet “Jeta e zezë vlen” dhe “Bolsonaro duhet të largohet”.
Mediat e huaja raportojnë se rreth 3,000 persona morën pjesë në një tubim në Sao Paulo për të kritikuar qeverinë federale dhe për të protestuar kundër dhunës ndaj brazilianëve me ngjyrë nga forcat e policisë.
Ndërkohë protestuesit u shtrinë në tokë, duke bërtitur “Unë nuk mund të marr frymë”, fjalët e fundit të George Floyd para se të vdiste në Minneapolis. Ndaj vdekjes së Floyd, protesta janë zhvilluar në shumë shtete të botës, të cilët kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj tij./abcnews.al