Vdekja e foshnjave në Berat, flet shefi i pediatrisë: Shkaku enigmë, erdhën pa shenja jete në spital

schedule20:30 - 26 Janar, 2020

schedule 20:30 - 26 Janar, 2020

Dy fëmijë binjakë kanë gjetur vdekjen mëngjesin e sotëm në Berat. Fëmijët e moshës 5 muajsh, të dy djem, kanë mbërritur të vdekur në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal Berat rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm.

Foshnjat janë dërguar në Morgun e Spitalit, ku i janë nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.

Nga autopsia nuk ka rezultuar të ketë pasur shenja helmimi në trupin e fëmijëve, edhe pse prindërit kanë pasur dyshime se fëmijët mund të jenë helmuar nga qumështi me kuti, me të cilin nëna i ushqente që nga dita e lindjes.

Mjekët e morgut të Beratit konfirmojnë se, në trupin e dy foshnjave nuk ka pasur shenja dhune.

Ata dyshojnë se, fëmijët mund të kenë gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë ose mungesës së ajrit në dhomë, pasi kjo familje siguronte ngrohjen me anë të sobës ndërkohë që kanë dërguar për ekzaminim në Tiranë analizat e foshnjave dhe janë në pritje të përgjigjes së tyre, për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6-vjeçe dhe vëllain 5-vjeç në një banesë dy katëshe në periferi të qytetit, në lagjen “Uznovë”

Për këtë ngjarje të rëndë ka folur për ABC News Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, Vladimir Kumaraku.

Si erdhën 2 binjakët në spitalin rajonal të Beratit?

Vladimir Kumaraku: 2 fëmijët binjakë u paraqitën në repartin e pediatrisë pa shenja vitale, asnjë shenjë jete madje kishin filluar edhe shenja të tjera që tregonin se vdekja ka ndodhur minuta më përpara. Foshnjat u mbajtën në repart derisa erdhi policia. Më pas filluam me procedurat për gjetjen e shkakut të vdekjes së tyre. Është ngjarje që na trondit të gjithëve, por që deri tani mbetet enigmë shkaku i vdekjes”, tha mjeku.

-Çfarë ore ka ndodhur si ngjarje?

Vladimir Kumaraku: Foshnjat janë paraqitur në repart rreth orës 10 të paradites, pasi u kryen procedurat të dy u dërguan në morgun e spitalit atje pastaj është mjeku ligjor që ju jep informacion. Sipas të dhënave tona, fëmijët nuk kanë qenë në ndjekje mjekësore, nuk ka qenë të sëmurë deri në çastin e vdekjes. Familjarët nuk paraqiten ndonjë gjë konkrete, por i sollën në gjendjen kur nuk kishin asnjë shenjë jete./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!