Vdekja e financierit amerikan, teoritë konspirative pushtojnë rrjetin

schedule16:45 - 12 Gusht, 2019

schedule 16:45 - 12 Gusht, 2019

Vdekja e financierit amerikan Xhefri Epshtein, mik i politikanëve të nivelit të lartë, ka ngritur dyshime tek opinioni publik amerikan. Në rrjetet sociale aludohet për një vetëvrasje të stisur ose një vrasje të organizuar, pasi dëshmitë e tij mund të hidhnin dritë mbi emrat e personazheve VIP që ishin të përfshirë në rrjetet e trafikut për qëllime seksuale.

Vetëm pak orë pasi financieri i profilit të lartë Xhefri Epshtein u gjet i vdekur, teori të shumta të pabaza mbi vdekjen e tij nisën të qarkullojnë online.

Epshtein, që do të dilte në gjyq për t’u përballur me akuzat e trafikimit të qënieve njerëzore për qëllime seksuale, vrau veten teksa ndodhej në qelinë e tij në Nju Jork.

Ai akuzohej se menaxhonte një rrjet të gjerë vajzash nën moshë për shërbime seksuale, ndërkohë që ishte vetëdeklaruar i pafajshëm ndaj akuzave muajin e kaluar.

66-vjeçari ishte i njohur për miqësitë e tij me personazhe VIP, përfshirë këtu presidentin Donald Trump, ish-presidentin Bill Klinton dhe princin Endriu të Mbretërisë së Bashkuar.

Hipoteza që sugjeronin një vetëvrasje të rremë deri tek një vrasje e organizuar u përmendën mijëra herë në Facebook dhe Twitter. Politikanë dhe gazetarë të profilit të lartë spekuluan në një kohë kur informacionet mbi rrethanat e vdekjes së Epshtein ishin të pakta.

“Një tip që kishte informacion që do të kishte shkatërruar jetët e njerëzve të pasur e të fuqishëm përfundon i vdekur. Tipike ruse”, komentoi gazetari i njohur Xho Skerbrou.

Komenteve iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, i cili tha se vdekja e Epshtein u leverdiste shumë personave pasi tani ai nuk do të mund t’i inkriminojë ata.

“Ajo që shumë nga ne duan të dinë është se çfarë dinte ai. Sa milionerë dhe miliarderë të tjerë ishin pjesë e aktiviteteve ilegale ku ishte përfshirë Epshtein?”, u shpreh De Blazio.

Të dhënat fillestare thoshin se Epshtein ishte vendosur nën “vetëvrasje të mbikëqyrur”, gjë që shtyu shumë njerëz të pyesnin se si ka mundur ai të vdesë kur ka qenë nën monitorim.

“Ç’do të thotë fraza “vetëvrasje e mbikëqyrur”? Kush po e mbikëqyrte”, u shpreh në Twitter avokati personal i Donald Trump, Rudi Xhuliani.

Ai shtoi se ishte e paimagjinueshme se si Epshtein mund t’i ketë dhënë fund jetës në ato rrethana.

Por më vonë autoritetet e burgjeve deklaruan se financieri nuk po mbahej nën mbikëqyrje, gjë që shtoi edhe më shumë spekulimet.

Konservatorët sugjeruan se në vrasjen e tij ishte përfshirë ish-çifti i parë i Amerikës, Bill dhe Hillari Klinton.

Ndërsa më pas, liberalët deklaruan se Trump ishte në një farë mënyre i përfshirë në vrasje. Hipoteza e pabazë që vë në shënjestër çiftin Klinton i referohet një teorie konspirative të viteve ’90, që thoshte se dyshja në mënyrë të fshehtë eliminonte armiqtë e saj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!