Vdekja e çiftit nga gazi në Vlorë/dyshime edhe për vetëvrasje

schedule15:32 - 22 Dhjetor, 2017

schedule 15:32 - 22 Dhjetor, 2017

Një çift bashkëshortësh u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre në Vlorë. Sipas policisë ata janë asfiksuar nga gazi i një bombole të lënë hapur. Po hetohet nëse ngjarja është aksidentale, apo e qëllimshme.

Kur policia shkoi në shtëpinë e tyre, burrë e grua u gjetën të pajetë.

Burri ishte ulur në divan, kurse gruaja në kolltuk para televizorit.

Duket se gazi i bombulës së dëmtuar shkaktoi tragjedinë.

Të paktën ky është versioni i parë zyrtar për vdekjen e çiftit Rrok Tata 60 vjeç dhe Prena Tata 56 vjeçe, të cilët jetonin në një apartament në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.

Trupat e tyre u dërguan për ekspertizë. Por ngjarja është shoqëruar me shumë dyshime. Gjasat janë që ato të kenë vdekur një ditë më parë.

Dyshimet lindën, pasi u mësua se mbesa e tyre tetëvjeçare, vajza e vajzës së çiftit që ndodhet në Itali, kishte fjetur te fqinja.

Pasditen e enjte gjyshja e kishte dërguar të blinte ndonjë ëmbëlsirë në dyqan dhe të luante me fëmijët. Por kur ajo u kthye gjeti derën e mbyllur dhe askush nuk e hapte.

Bombula e gazit ka rrjedhur. Dhe ky fakt është i pandryshueshëm për policinë. Dhe ngjarja mund të jetë aksidentale.

Por policia dyshon edhe për një vetëvrasje të mundshme. Që do të thote se bombula është lënë qëllimisht e hapur.

Megjithatë janë hetimet ato që do të përcaktojnë saktësisht çfarë ndodhi me çiftin Tata me origjinë nga Shkodra, por që jetonin në Vlorë prej 25 vitesh.

Tre fëmijët e tyre dy djem dhe një vajze jetojnë emigrantë në Itali dhe mbesa e vogël ishte sjellë aty tek gjyshërit vetëm pak kohë më parë.

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!