Vdekja e artistes së rrugës “El Mimo” ende një mister në Kili

schedule12:42 - 22 Nëntor, 2019

schedule 12:42 - 22 Nëntor, 2019

Misteri i vdekjes së Daniela Karasko, me emrin e artit “El Mimo”, ka shkaktuar zemërim në Kili. Hashtagu #Drejtësi për Mimo ka pushtuar rrjetet sociale. Artistja e rrugës, u gjet e varur në një pemë në një park në periferi të Santiagos.

Ajo ishte pjesë aktive e manifestimeve kundër varfërisë që kanë pushtuar vendin që nga 14 tetori. Sipas analizave të policisë shkencore, të bëra publike një muaj pas gjetjes së viktimës. Gruaja ka humbur jetën si pasojë e mbytjes. Por tashmë në vend flitet për një vdekje simbolike.

Herën e fundit që u pa gjallë ajo ndodhej në burg, sipas dëshmitarëve që shkruajnë në rrjetet sociale. Në fillim u fol menjëherë për vetëvrasje, por më pas teza se ajo ishte një vdekje simbol në shenjë paralajmërimi për femrat që marrin pjesë në protesta, mori më shumë mbështetje.

Organizata feminist në vend shprehen se ajo është përdhunuar, torturuar dhe më pas është vrarë. Një grup aktoresh vendase shprehen se ajo është rrëmbyer nga forcat ushtarake në protestën e 19 tetorit.

Analizat e mjekut ligjor dhe deklaratat e prokurorisë kilene thonë se gruaja ka vdekur si pasojë e mbytjes së shkaktuar nga litari që e mbante lidhur në pemën ku u gjet. Autopsia nuk zbuloi dhunë seksuale apo fizike. Instituti kombëtar për të drejtat e njeriut, për momentin nuk ka bërë asnjë ankesë.

Presidenti i Kilit Pinera nga ana e tij pranoi se ka pasur një përdorim të ekzagjeruar force nga ana e policisë, dhe se të drejtat e neriut nuk janë respektuar. Madje kreu i shtetit pranoi se ka pasur dhe abuzime. Por Pinera premtoi se dhuna dhe abuzimet nuk do të mbeten pa ndëshkuar, dhe se drejtësia do të vihet në vend./abcnews.al