Autoritetet e qytetit të Novi Pazarit, në pjesën jugperëndimore të Serbisë, shpallën të hënën ditë zie, për shkak të vdekjes tragjike të katër fëmijëve pas rënie së një zjarri në një apartament.
Katër fëmijë të moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç vdiqën në një zjarr të dielën.
Babai i tyre pësoi djegie në 50 për qind të trupit dhe u transportua në Qendrën Klinike të Serbisë në Beograd, ndërsa nëna u shtrua në Spitalin e Përgjithshëm në Novi Pazar, njoftoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Zjarri shpërtheu mëngjesin e së dielës në një ndërtesë banimi në Novi Pazar. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se zjarrfikësit, menjëherë pas marrjes së informacionit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Në njoftim thuhet se zjarrfikësit, sapo kanë hyrë në ambientet e përfshira nga zjarri, kanë gjetur katër fëmijë, të cilët, sipas të gjitha gjasave, kanë vdekur nga asfiksimi.
Zjarri është lokalizuar dhe më pas është fikur me shpejtësi, ndërsa hetimet do t’i përcaktojnë shkaqet e zjarrit dhe vdekjes së fëmijëve, thuhet në njoftimin e MPB-së serbe.
“Vdekja e fëmijëve është tragjedia më e tmerrshme, që prek gjithë shoqërinë”, tha Ministria për Kujdes Familjar dhe Demografi e Serbisë.
/abcnews.al