Vazhdon dezinfektimi në tregun agro-ushqimor, klientët sensibilizohen me ruajten e distancës
Tregu agro-ushqimor në Tiranë vijon të dezinfektohet në mënyrë periodike për të parandaluar mundësinë e përhapjes së Covid-19.
Siç shihet nga pamjet dezinfektimi është bërë në të gjitha ambientet e tregut nga ekipe profesionale të cilat synojnë të rrisin sigurinë e ushqimeve,qytetarëve dhe tregtarëve. Dezinfektimi ka nisur që nga hyrja për të vazhduar në pjesën e parkingut dhe më pas edhe në kapanonët ku magazinohet malli.
I gjithë stafi por edhe klientët janë sensibilizuar në lidhje me këtë situatë, janë bërë trajnime dhe klientët këshillohen vazhdimisht që të ruajnë distancën për të shmangur çdo rrezik për infektimin me koronavirus.
Tregu Agro-Ushqimor në Tiranë i ka fillesat e veta që në vitin 2012 dhe është një strukturë moderne dhe më e madhja në vend për grumbullimin ,magazinimin dhe tregtimin e një game të gjerë të produkteve bujqësore të cilat vijnë nga e gjithë Shqipëria. /abcnews.al/