Beteja Cardiff City-Nantes nuk po merr fund. Vdekja tragjike e Emiliano Sala janarin e kaluar trishtoi gjithë botën e futbollit. Sulmuesi sapo ishte transferuar nga ekipi francez drejt Premier League, por udhëtimi me avion drejt Cardiffit qëlloi fatal për të dhe pilotin e avionit.
Dy klubet kishin arritur akordin për shumën e 15 milionë sterlinave. Lojtari nuk arriti të luante asnjë minutë me klubin e ri dhe britanikët kanë refuzuar të paguajë këtë shumë, teksa francezët e Nantes presin paratë.
FIFA vendosi në fundin e tetorit që Cardiff duhet të paguante këstin e parë prej 5.3 milionë sterlinash (6 milionë euro), por klubi uellsian nuk është dakord. Cardiff ka vendosur të çojë këtë çështje në CAS.
Kërkesa është pranuar dhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv me bazë në Zvicër, do të duhet të zgjedhë përfundimisht këtë problem. Vendimi pritet të merret në pranverën e vitit të ardhshëm. /abcnews.al