Kërcënimet me vdekje mesa duket janë kthyer në “modë” në Angli. “Viktima” e fundit është trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, i cili e pranon se është kërcënuar dhe familja e tij. Pas humbjeve me Wolves e Aston Villën, tifozët e “Topçinjve” nuk e kanë përmbajtur dot veten dhe mesa duket e kanë gjetur “zgjidhjen” në këtë mënyrë.
“Unë mendoj se nëse do të lexonim gjithçka që është shkruar për ne, atëherë do të duhet të qëndronim shumë ditë në shtrat. Të gjithë ne jemi të ekspozuar ndaj kërcënimeve si pasojë e punës sonë dhe kjo është arsyeja se pse unë preferoj të mos lexoj shumë komente”, deklaron spanjolli në konferencën për shtyp para takimit me Leeds.
“Ato kërcënime sigurisht që do të ndikojnë tek unë në momentin që dikush përmend familjen time. U përpoqëm që të bëjmë diçka për këtë, madje dhe klubi, por vetëm kaq. Siç thashë janë gjëra që ndodhin në punën tonë”, përfundon Arteta. Kujtojmë që një ditë më parë ishte dhe trajneri i Newcastle, Steve Bruce, që konfirmoi se dhe ai ka marrë kërcënime me vdekje. /abcnews.al