Autoritetet në Angli kanë arritur në përfundimin se çifti i bashkëshortëtve që u helmuan me agjent nervor kanë rënë në kontakt me një dozë të fortë të substancës Noviçok. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Rusia, që ka shprehur shqetësimin e saj.
Çifti që u prek nga agjenti nervor Noviçok në jug të Anglisë dyshohet të ketë rënë në kontakt me një dozë të lartë të substancës. Kështu deklarojnë autoritetet britanike, një ditë pasi 44-vjeçarja Daun Stërxhs, nënë e tre fëmijëve, ndërroi jetë në spital. Ndërsa bashkëshorti i saj, Çarli Rouli, 45 vjeç, vazhdon të jetë në gjendje kritike.
Policia ndërkohë po vazhdon kërkimet për objektin nga i cili është lëshuar substanca, i cili mendohet të ketë qenë në duart e çiftit. Gjithashtu, mbi vdekjen e zonjës Stërxhs është hapur një hetim penal dhe pritet të kryhet autopsia. Ministri i Brendshëm, Sajid Xhavid ka kryesuar ndërkohë një takim me krerët e komisionit të emergjencave Kobra dhe pritet të raportojë tek kryeministrja May.
Deri tani, hetuesit kanë gjetur një furgon të kuq me të cilin 45-vjeçari Rouli kishte udhëtuar me tre persona të tjerë para se të sëmurej. Mjeti është dërguar në laboratorin ushtarak të qeverisë britanike, Porton Daun. Neill Basu, nëndrejtor i agjencisë së anti-terrorit, i cili po udhëheq hetimet ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë që ngjarja të jetë e lidhur me atë të ish-spiunit Sergei Skripal dhe së bijës më 4 Mars.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar të hënën edhe Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov ka shprehur shqetësimin e tij duke deklaruar se situata në Angli përbën rrezik për të gjithë Europën. Peskov ka nënvizuar se nuk është në dijeni për akuza të Londrës ndaj Rusisë, të cilat sipas tij do të ishin “absurde”./abcnews.al