Katër vatra të reja të gripit të shpendëve janë zbuluar në Shqipëri. Aktualisht sëmundja është konstatuar në Zall Herr, Paskuqan, Nartë dhe Lagunën e Karavastasë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e cila ka konfirmuar lajmin thotë se dy prej vatrave pozitive janë në shpendë të egër duke lënë të kuptohet se dy të tjerat janë në shpendë të oborrit.
“Shpendët e egër janë mënyra më e shpeshtë që shërben për të qarkulluar në shpendët e oborreve dhe fatkeqësisht mund të ndodhë të hy dhe në shpendë të regjistrit industrial. Është e pamundur të ndalojmë shpërthimet”
Megjithketë profesori I sëmundjeve infektive në Universitetin Bujqësor të Tiranës Xhelal Koleci thotë se disa masa të biosigurisë mund të kufizojnë përhapjen e infeksionit dhe këshillon fermerët.
“Fermerët në zonat respektive duhet e këshillohen të mbajnë brenda shpendët, aq sa është e mundur, me qëllim minimizimin e çdo kontakti të mundshëm midis shpendëve të egër dhe atyre të oborreve duke mos vizituar ferma të tjera. Nëqoftëse kalohet nga një fermë në një tjetër duhet që të ketë mundësi të dezinfektohen këmbët sepse shpendët e egër gjatë fluturimit me anë të jashtëqitjeve mund të ekskretojnë dhe shkaktarin. Nëse gjurmët tona bien në kontakt me to mundet që nëse vizitojmë një fermë shpendësh ta dërgojmë materialin“
Aktualisht nuk ka kalim të gripit nga shpendët tek njerëzit. Analizat e kryera tek personat që kanë pasur kontakt me shpendët e sëmurë sipas Ministrisë së Bujqësisë kanë rezultuar negative.
“Përsa i përket mundësisë së kalimit të virusit tek njeriu, mundësi është e vogël, por gjithësesi duhet të kemi kujdes kur kontaktojmë me këto shpendë të egër të cilët mund të ngordhin. Të mos i prekim të lajmërojmë shërbimin veterinar. Natyrisht fillon si një grip i zakonshëm, por për shkak të kolapsimi të mushkërive ka përqindje të lartë të rasteve fatale. “
Shpendët e prekur nga gripi sipas specialistëve nuk arrijnë të hynë në zinxhirin ushqimor pasi sëmundja agravon shpejt e çon në ngrodhjen e tyre. Pavarësisht kësaj vezët dhe mishi i gatuar sipas tyre nuk paraqesin rrezik për konsumtorin. Ministria e Bujqësisë thotë se e ka situatën në kontroll dhe në bashkitë e prekura ka ndalur lëvizjen e shpendëve të gjallë jashtë fermave./abcnews.al