931 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi që nga viti 2001.
744 në Batajnicë, në periferi të Beogradit; 61 në Petrovo Selo dhe 84 në liqenin Peruçac ndërsa 52 në varrezën masive në Rudnicë. Shqiptarët e Kosovës u vranë nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare dhe më pas trupat e tyre u dërguan dhe u fshehën thellë nën tokë në vende të ndryshme në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit.
Vendet e varrezave masive u gjendën në bashkëpunim me dëshmitarë që kishin qenë pjesë e operacionit të transportimit të kufomave, mes të cilëve burra, gra dhe fëmijë.
Shkaku i vdekjes së tyre ishte kryesisht plumbi në kokë, gjë që tregon se ata nuk u vranë gjatë luftimeve, por u ekzekutuan jashtë frontit të luftës.
BATAJNICA
Batajnica, në periferi të Beogradit në Komunën e Zemunit është në afërsi të lumit Danub dhe në vitin 1999, aty trajnohej një njësi speciale e ministrisë së brendshme serbe.
Edhe pas zhvarrosjes së trupave të shqiptarëve të Kosovës, zona vazhdon të jetë qendër trajnimi. Në periudhën 2001- 2003, aty u gjetën tetë varreza masive. Nga 535 të vrarë dhe të varrosur në varrezat masive në Batajnicë dhe Peruçac, 531 persona kishin vdekur nga një plagë me armë zjarri, nga të cilët 300 ishin të qëlluar në kokë.
PETROVO SELLO
Petrovo Selo, një fshat në komunën e Kladovos kishte gjithashtu një qendër trajnimi të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe aty trajnoheshin edhe anëtarë të Njësisë së Operacioneve Speciale te Sigurimit të Shtetit të Serbisë. Dy varreza masive u zbuluan në Petrovo Selo. 53 nga viktimat kishin vdekur nga plagët, 20 prej tyre u qëlluan në kokë.
LIQENI PERUCAC
Liqeni Peruçac, në Komunën e Bajina Basta në Serbinë perëndimore, mbante një varr masiv në afërsi të liqenit, zhvarrimi i të cilit filloi më 6 shtator të vitit 2001. Përveç mbetjeve mortore, varri masiv kishte edhe një kamion frigorifer. Të paktën 48 trupa u zhvarrosën të plotë nga varri masiv pranë liqenit Peruçac ndërsa 84 të pa plotë.
RUDNICA
Fshati Rudnicë, në Komunën e Rashkës në Serbinë jugore, në afërsi të Jarinjës, kalimi kufitar midis Serbisë dhe Kosovës kishte një varrezë masive në një zonë të braktisur gurore. 52 trupa u gjetën aty në varrezë masive.
KIZHEVAK
Varreza më e re masive ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet të jenë të shqiptarëve të Kosovës është në Kizhevak, një ish-minierë e braktisur po në zonën e Rashkës. Ende nuk dihet sa trupa mund të jenë varrosur atje, por një gjë dihet me siguri, përpjekja e qartë, e vazhdueshme, e organizuar dhe monstruoze për fshehjen e krimeve të kryera, 4 pashë nën tokë!
Nesrete Kumnova nga Gjakova, tregon: “Normal, Kishevaku është hapur edhe disa vite para. Por s’ka pasur rezultate. Shpresat rritet tek familjarët kur gjendet ndonjë kockë..U bënë 21 vjet që të dashurit tanë janë rrëmbyer nga kriminelët serbë, dhe po mbahen peng..Në mesin e tyre është edhe djali i vetëm Albioni, i cili është marrë vetë i gjashti në familjen tonë. Ishte biri im Albioni, dhëndri Gëzimi, djali i motrës, Artani edhe tre fqinjë. U rrëmbyen me 31 mars në shtëpinë tonë. Sot e kësaj dite, pesë janë gjet, janë identifiku, kurse biri imi vetëm ende nuk është kthyer nga Serbia.”
Agron Limani, Krushë e Vogël
“Në Krushë të Vogël janë të zhdukur 68 persona, ndërsa 45 prej tyre janë gjetur, identifikuar dhe rivarrosur. Janë gjetur kryesisht rreth fshatit Krushë e Vogël dhe periferi të Prizrenit, në një lëndinë ku janë bërë ushtrimet ushtarake dhe policore të serbëve…Serbët, të ndihmuar nga forcat policore, pasi e vranë këtë masë të madhe njerëzish, kufomat e tyre u dërguan rreth 15 kilometra larg nga Krusha e Vogël, në mënyrë që të zhdukin gjurmët e tyre..” /abcnews.al/