Vetëm 33.19% e qytetarëve në Shqipëri janë vaksinuar plotësisht deri në javën e tretë të Nëntorit. Emisioni “Log.” publikoi tabelën se ku rendit Shqipëria mes vendeve të rajonit dhe BE-së për nivelin e vaksinimit.
Zv/ ministri i Shëndetësisë Gjergji Koja u shpreh se niveli i vaksinimit me update-t e fundit është 44.5% me dy doza dhe 49.1% me një dozë. Por ish-ministri, aktualisht deputet i PD-së Tritan Shehu shprehet se niveli i vaksinimit në Shqipëri është 35%.
“Unë e parashikoj një cikë të zymtë situatën në muajt që vijnë. Shqipëria e filloi me vonesë vaksinimin, nuk mori masat, krijoi ca aventura. Dhe pastaj gabimi i madh është që në Shqipëri u bë një sallatë ruse.
Shifrat janë në 35% deri tani. Unë u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të vaksinohen dhe qeveria të marrë vaksina të certifikuara nga “EMA” dhe “FDA” deklaroi ai duke shtuar se ka bërë tre doza “Pfizer”.
Lexo edhe: Po vjen varianti i ri, mjeku: Nuk do të ngelet njeri pa u infektuar, keni vetëm një zgjidhje
E ndërsa kritikoi qeverinë për menaxhimin, Shehu tregoi se cfarë do të bënte ndryshe nëse do të ishte ministër Shëndetësie. “Nuk do të ishim përqendruar vetëm te COVAX dhe do të kishim pranuar në Shqipëri, si Kosova, vetëm vaksina të certifikuara nga “EMA” dhe “FDA”.
Tani që jemi është krijuar një sallatë ruse, janë përdorur, kineze, ruse, Pfizer dhe AstraZeneca” tha ai duke shtuar se “Green Pass”-i është i domosdoshëm, por duhen sqaruar njerëzit”.
Gjergji Koja rrëzoi pretendimet e tij. “Teza e vaksinave të pasigurta është rrëzuar njëherë e mirë dhe në Shqipëri nuk ka filluar vaksinimi me vonesë. Shqipëria ndoqi rregullat e të gjitha vendeve të BE-së. Të gjitha stafet tona kanë mundësuar një vaksinim tërërsisht profesional.
Shifrat e vaksinimit nuk janë të kënaqshme, edhe ne kemi shumë për të bërë. Vaksinimi po vazhdon. Nuk mund të bëhet përgjegjës autoriteti i shëndetësisë nëse qytetari vaksinohet apo jo. Po nuk u vaksinuam nuk kemi shpëtim” tha ai.
Mjeku i njohur Genc Sulçebe theksoi se zgjidhja e vetme është vaksina. “E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është vaksinimi i popullatës. Nuk shpëtojmë dot nga Delta apo Omicron, ose do të vaksinohemi. Të gjithë do të infektohen. Nuk e kalon këtë po nuk u infektuam. Do zgjedhin, infektim natyral duke marrë riskun e madh apo do të bëjmë vaksinën, që është zgjidhje më e thjeshtë. Keqardhje që ka ende njerëz që janë skeptikë” tha ai.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti u shpreh se “Sot në spital janë njerëz që nuk e kanë kaluar ose nuk janë vaksinuar. 90% e njerëzve janë të pa imunizuar, ndoshta vetëm 10% të vaksinuar” përfundoi ai./ db/Abcnews.al