Raphael Varane është një ndër mbrojtësit më të mirë në planet dhe një prej lojtarëve që ka fituar më shumë trofe me Real Madrid dhe Francën e tij (plot 18 trofe). 26-vjeçari i Real Madrid është një person që flet rrallë.
Qendërmbrojtësi i “Los Blancos” ka prekur tema të ndryshme në prononcimin e dhënë për DAZN. Tre janë lojtarët nga të cilët frymëzohet, dëshira për të fituar nuk i shteron kurrë, teksa nuk mungojnë elozhet e tij ndaj Messit, Hazard dhe trajnerit Zidane.
OBJEKTIVI – “Është gjithmonë i njëjti, duam të fitojmë çdo trofe. Fitorja të shton dëshirën për të provuar sërish të njëjta emocione dhe të tregohesh se mund të konkurrosh për fitimin e titujve. Ajo që kam fituar deri tani është një ëndërr: fitimi i kaq trofeve i ka kaluar pritshmëritë e mia”.
IDHUJT – “Frymëzohem nga lojtarë si Sergio Ramos, Pepe dhe Cristiano Ronaldo. Portugezi është një shembull për çdo lojtar. Kam mësuar shumë prej tyre. Nga Ramos kam marrë mentalitetin fitues. Ai gjen stimuj çdo ditë dhe ka dëshirë për të fituar gjithmonë, edhe në stërvitje. Ka shumë eksperiencë dhe nuk e humbet kurrë motivimin”.
REAL MADRID – “Të jesh një lojtar i Realit do të thotë që nuk të lejohen gabime. Ne duhet të dimë se si të mbrohemi përpara për t’i bërë presion kundërshtarit. Kjo na mundëson të kemi 50 metra fushë pas nesh. Ky është shkaku pse duhet të jemi gjithmonë të përqendruar në maksimum”.
MESSI – “Leo është një lojtar i veçantë, kundër tij nuk mund të mbrosh siç bën me të tjerët. Nevojitet shumë kujdes dhe duhet mbrojtur si skuadër. Nuk mund t’i lejosh hapësira një lojtari të tillë”.
HAZARD – “Po përshtatet mirë dhe ka një talent të jashtëzakonshëm. Është kënaqësi të luash përkrah tij, bën diferencën në fushën e lojës”.
ZIDANE – “Trajneri është një shembull për mua. Është shumë i qetë, qëndron gjithmonë pozitiv dhe ka besim të madh te vetja”. /abcnews.al