Barcelona triumfoi kundër Villareal, por edhe rivalët e tyre, Real Madrid, ia dolën të merrnin pikët e plota kundër Athletic Bilbao. Sërish një penallti vendosi fatet e ndeshjes dhe në Spanjë ka pasur polemika të shumta, madje shumë shprehen se arbitrat po ndihmojnë madrilenët dhe VAR përdoret vetëm kur është në interes të tyre.
Presidenti i Barcelonës ankohet, por nuk përmend që Reali është klubi që po favorizohet. Gjithsesi është e kuptueshme, duke pasur parasysh se katalanasit po rivalizojnë me ta për titullin kampion.
“VAR nuk është në nivelin që të gjithë donim. Pas izolimit, ka pasur shumë ndeshje që nuk kanë qenë të barabarta. Madje i njëjti ekip është favorizuar dhe shumë ekipe kanë qenë të pafat. VAR duhet ta ndihmojë gjyqtarin.
Gjatë ndeshjeve të fundit të gjithë e kanë parë që VAR nuk është përdorur mirë”, ka deklaruar Bartomeu për “Movistar”. Në lidhje me gjykimin ka folur edhe Zinedime Zidane, trajneri i Real Madrid. Francezi ndihet i lodhur dhe kërkon më shumë respekt.
“Jam lodhur duke dëgjuar që ne fitojmë për shkak të arbitrave. Kjo nuk do të ndryshojë, por lojtarët meritojnë respekt. Askush nuk do të na shpërqendrojë nga objektivi ynë”, u shpreh Zidane, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Athletic Bilbao.
Në lidhje me gjykimin dhe VAR foli edhe trajner i Barcelonës, Quique Setien: “Nuk do të them asgjë në lidhje me komentet e presidentit. Nuk e kam dëgjuar atë që ai tha. Në lidhje me VAR mund të them që e kuptoj pak e më pak gjithnjë. Mendoj se kemi një mjet që e bën futbollin më të drejtë, por jo mjaftueshëm për momentin. Gjithçka lidhet me interpretimin, edhe pse incidentet që ndodhin shihen shumë herë”./abcnews.al