Teuta dhe Skënderbeu nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 në “Niko Dovana”, me korçarët e Skënder Gegës që marrin një pikë në transfertë, takim i vlefshëm për javën e 27-të të kampionatit shqiptarë.
Minutat e para të këtij takimi ishin të qetë për të dyja skuadrat të cilat më shumë studiuan njëra-tjetrën se sa kërkonin të gjenin portën, por Skënderbeu në minutën e 22-të do të krijonte edhe rastin e parë, por portieri Qirko është i vëmendshëm.
Për Jurgen Vrapin kjo ishte dita pa fat, pasi një dëmtim do ta detyronte të linte fushën e lojës që në minutën e 31-të të saj, me Gegën që bën kështu një lëvizje të detyruar, teksa Kosta Vangjeli hyn në lojë.
Djemtë e Skënder Gegës provuan edhe në minutën e 38-të të befasonin Teutën por gjuajtja e Uerdi Marës devijohet nga mbrojtësi Jazxhi, ndërkohë nga krahu tjetër Teuta do të përgjigjej me rastin e parë të rrezikshëm me Ruben Acquah, ku ky i fundit merr një top të bukur nga Lorenco Vila, por goditja e sulmuesit lë për të dëshiruar.
Emiliano Vila dhe Peposhi nga njëra anë, Pusi dhe Shehi nga ana tjetër do të provonin dhe fatet e tyre në këtë takim, por tentativat lënë për të dëshiruar.
81’ momente tensioni në fushën e lojës do të krijoheshin nga Berisha dhe Aleksi të cilët gjyqtari Xhaja do t’i ndëshkonte me kartonë të verdhë. Teuta kërkon golin e fitores në minutat e mbetura me Lorenco Vilën që pas një goditje të bukur topi do të shkonte ngjitur me portën e Bekim Rexhepit.
Në minutën 90+1 Jazxhi do të gjente rrugën e rrjetës, por VAR do t’ia prishte festën e golit të parë të mbrojtësit durrsak, pasi goli u konsiderua i parregullt. Në këtë mënyrë skuadrat ndajnë nga një pikë, me Teutën që renditet në vendin e 6-të me 32 pikë, ndërsa Skënderbeu në vendin e fundit me 20 pikë. /f.a/abcnews.al