Uss Mount Whitney, anija e parë luftarake amerikane është ankoruar në Porto Romano. Në ceremoninë e zhvilluar nga ambasada amerikane, ku i pranishëm ishte dhe presidenti Bajram Begaj, e ngarkuara me punë Nancy Vanhorn thotë se përforcimi i Porto Romanos do të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, që nga rritja e tregtisë deri tek projektet e reja infrastrukturore.
“Përforcimi i Porto Romanos do të ndihmojë në sigurimin e linjave të komunikimit detar dhe në stabilizimin e transportit të materialeve ushtarake përmes kufijve. Gjithashtu, do të dërgojë një sinjal të qartë për të gjithë ata që kërkojnë të destabilizojnë sigurinë transatlantike: Ne jemi të aftë, ne jemi të bashkuar dhe ne jemi të angazhuar ndaj mbrojtjes kolektive në tokë, në ajër dhe në det”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar deklaratave të presidentit Trump se të gjithë Aleatët duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtje, VanHorn tha se përforcimi i Porto Romanos do të forcoje pozicionin e Shqipërisë në Nato.
“Zhvillimi i një objekti portual të ujërave të thella në Porto Romano me kalata të sigurta, me mjedise për trajtimin e ngarkesave dhe me lidhje me hekurudhat e rrugët, ndihmon për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje. Kjo do të përmirësojë sigurinë rajonale, do të forcojë Krahun Lindor të NATO-s dhe do të nxisë rritjen ekonomike”, tha Nancy Vanhorn.
Po ashtu, ky zhvillim shënon një hap më shume në forcimin e partneritetit mes Tiranës dhe Uashingtonit.

