Valverde, “floriri” madrilen/ Uruguajani, ndër lojtarët më të rëndësishëm në ekip

schedule13:00 - 17 Shkurt, 2025

schedule 13:00 - 17 Shkurt, 2025

Kur e morën në 2016 nuk mendonin aspak se do të arrinte deri këtu. Federiko Valverde ishte në atë kohë 17 apo 18-vjeçar i panjohur që vinte nga Penjaroli i Uruguajit në klubin më të madh të Spanjës, Europës dhe gjithë botës, tek Reali.

Transferimi i tij nuk ishte një ngjarje e madhe e luksoze, si një Kristiano Ronaldo apo Garet Bejl, dhe 5 milionë eurot e paguara për kartonin u konsideruan një shumë qesharake.

Gjithsesi, ndërsa kanë kaluar 8 vjet, dhe Valverde ka luajtur për 7 sezone në ekipin e parë madrilen, kuptohet se çfarë investimi i jashtëzakonshëm ishte ky uruguajan aspak I bujshëm.

Jo edhe aq sepse ka shënuar 29 gola e ka shërbyer 28 asistë për “mbretërit e futbollit”, këto janë statistika krejt të rëndomta. Siç thekson e përditshmja “Marka”, 26-vjeçari ka qenë I gjithashëm, një lojtar poliedrik apo polivalent.

Jo më kot ka luajtur në 8 role të ndryshme në karrierë, dhe në “Santiago Bernabeu” këtë e ka bërë në 7 pozicione. Mesfushor qendre, lojtari I krahut të djathtë, mesfushor ofensiv, mesfushor difensiv, mbrojtës i djathtë, mesfushor i majtë dhe qendërmbrojtës.

Vetëm një lojtar shumë I talentuar dhe shumë inteligjent mund t’ia dalë, ndërsa edhe yje të rëndësishëm e kanë problem nëse I largojnë nga pozicionet e tyre të preferuara. Në ndeshjen e parafundit për Realin, në duelin në Champions në fushën e Mançester Sitit, uruguajani ishte mbrojtës I djathtë, sepse mungonin edhe Karvahal, edhe Lukas Vaskez.

Trajneri I tij, Karlo Ançeloti, një njeri që padyshim e njeh shumë mirë futbollin, tha disa kohë më parë se Federiko Valverde është mbrojtësi I djathtë më I mirë në botë, pikërisht pas Karvahalit dhe Lukas Vaskezit. Jo më kot, ai ka fituar shumë trofe, tre La Liga, dy Champions, 2 Kupa të Botës për klubet, dy Superkupa të Europës dhe një Kupë Interkontinentale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!