Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti, ndërsa autoritetet meteorologjike kanë shpallur alarm të verdhë në 18 departamente, përfshirë edhe Paris dhe periferitë e tij, ku paralajmërimi hyn në fuqi që nga dita e sotme.
Sipas Météo-France, ky vit është karakterizuar nga mbërritja e hershme e temperaturave jashtëzakonisht të larta për sezonin. Temperaturat e mëngjesit variojnë nga 14 deri në 20 gradë Celsius, ndërsa gjatë pasdites pritet të arrijnë nga 32 deri në 35 gradë Celsius.
Mediat franceze, përfshirë Le Figaro, raportojnë se vala e të nxehtit po përhapet edhe më në veri të vendit, me temperatura mbi 30 gradë Celsius në pothuajse të gjithë territorin francez, përveç zonave përgjatë Kanalit Anglez dhe plazheve të Mesdheut.
Ndërkohë, edhe Britania po përballet me temperatura ekstreme. Shërbimi Meteorologjik Britanik paralajmëroi se vala aktuale e të nxehtit mund të thyejë deri në tre rekorde temperaturash gjatë ditës së sotme.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj të moshuarve dhe fëmijëve.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!