Vaksinimi, dhjetëra mësues refuzuan dozat AstraZeneca

schedule19:55 - 16 Mars, 2021

schedule 19:55 - 16 Mars, 2021

Nga Ajgena Korbi

Jo të gjithë mësuesit e planifikuar kanë ardhur për të marrë vaksinën kundër koronavirusit.

Dyshimet e ngritura mbi AstraZeneca-n dhe pezullimi  në disa shtete të Europës kanë shkaktuar  pasiguri edhe në Shqipëri.

Arsimtarët që po marrin injeksionin tregojnë se e kanë menduar gjatë.  Vendimin e tyre e kanë konsultuar me mjekë brenda e jashtë vendit.

“Djalin e kam mjek dhe më ka thënë do të shkosh të vaksinohesh, është për forcim të shëndetit dhe për të mirën time personale”, shprehet një arsimtare.

“Mendoj se si të gjitha vaksinat e tjera nuk është më e rrezikshme se të tjerat. Por mund të ketë ndonjë problem…Ndoshta…Frikë nuk kam. Covidi-n e ka kaluar shumë rëndë në nëntor dhe dhjetor dhe nuk mendoj se mund të jetë më i keq”, shprehet një tjetër arsimtare.

Deri tani sipas përgjegjëses së Programit Kombëtar të Vaksinimit Erida Nelaj nuk janë hasur probleme .

Efektet  që ka shfaqur AstraZeneca kanë qenë të pakta dhe të pritshme për çdo vaksinë. Ndërsa për mpiksje gjaku dhe humbje jetë specialistja e Institutit të Shëndetit Publik,  thotë se nuk ka të dhëna shkencore.

“Nuk ka vend për panik, 1000 mijë arsimtarë janë vaksinuar dje dhe po vazhdon edhe sot. Ndërsa efektet janë ato më të zakonshmet si  dhimbje në vendin ku aplikohet vaksina, ndonjë dhimbje e lehtë koke që menaxhohet shumë lehtë me paracetamol”, tregon ajo.

E pyetur nëse ka penalitete për ato që nuk e marrin vaksinën, ajo u shpreh: “Absolutisht jo. Vaksinimi është falas nuk ka pse të ketë penalitete. Për momentin mund të refuzojnë, por mund të kthehen në çdo kohë për vaksinim”.

Veç mësuesve në kryeqytetit vaksinën anti-Covid  po e marrin paralelisht me mjekët e të moshuarit  dhe arsimtarët në rrethe.

Ndryshe nga Pfizer e cila merret me dy doza brenda 21 ditësh injeksioni i dytë i AstraZeneca-s mund të kryhet pas 3 muajsh.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!